Dashuria për veten ishte fokusi i diskutimit mëngjesin e kësaj të mërkure në emisionin “Shije Shtëpie” në Tv Klan. E ftuar në studio shkrimtarja Rita Petro u shpreh se çdo njeri duhet të ketë prioritet veten.

Për këtë ajo ndan dhe një moment nga pushimet  e saj të verës. Teksa shijonte ditët e nxehta buzë detit, e vetme, ajo ndau një video në llogarinë e saj në “Instagram”.

Një video e cila bëri bashkë dëshirën e shumë shqiptarëve. Mesa duket të gjithë dëshironin që të arratiseshin pak nga monotonia, puna, madje edhe familja dhe të kujdeseshin pak më shumë për veten.

Në studion e “Shije Shtëpie” ajo i mëshonte së njëjtën gjë, sipas Rita Petros njeriu e ka të nevojshme “arratisjen” dhe shkëputjen nga rutina.

“Unë pata bërë një postim dhe jam çuditur, kishte një shikim të jashtëzakonshëm. Isha në plazh, kisha ikur nga të gjithë dhe thashë do shkoj vetëm. Tek një shtëpi që kam në plazh aty mora celularin dhe bëra sikur po i flisja vetes, thashë a ka ndonjëri nga ju së bashku me mua që nuk ka menduar të ikë nga të gjithë, të lërë dhe fëmijët, se e kisha dhe për ata që janë prindër. Të lënë gjithçka, hallet, gjithë punët, të mos kujtojë se çfarë i thotë shefi ose shefja, e të ikë të merret me veten dhe të kujdeset. Një shikim i jashtëzakonshëm i asaj videos, komente të jashtëzakonshme. Bashkoheshin të gjithë me mendimin pavarësisht se bënin jetë të ndryshme, vura re që të gjitha moshat e thoshin atë gjë. Nuk ka gjë më të bukur se sa arratisja. Nuk është arratisje se ti nuk do të kthehesh më”, tha Rita Petro./tvklan.al