Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi nga ambientet e jashtme të SPAK është shprehur se arrestimi i kryebashkiakut Erion Veliaj ka ardhur si rezultat për të balancuar lëvizjet e njëanshme të SPAK-ut.

Kryemadhi u shpreh se po kërkohet të tregohet se nuk po sulmohet vetëm në njërën anë, pra të opozitës, por edhe në drejtim të qeverisë.

“Lëvizjet që kanë ndodhur në SHBA i japin një shanc të ri jo vetëm politikës shqiptare, jo vetëm opozitës, por edhe sistemit të drejtësisë. Mendoj që edhe rasti i fundit pra arrestimi i Erion Veliajt ka ardhur si një rezultat për të balancuar lëvizjet e njëanshme të SPAK-ut për të thënë që ne nuk e kemi vetëm në një anë, por e kemi edhe me anën tjetër”, u shpreh Kryemadhi.

Kujtojmë se kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj aktualisht po mbahet në ambientet e paraburgimit në Durrës, burg ku u dërgua 1 ditë pasi SPAK i relatoi faktet dhe provat në seancën për vlerësimin e masës.

Lidhur me dyshimet e ngritura nga Prokuroria e Posaçme, kryebashkiaku i ka cilësuar si të bazuara në fakte të fabrikuara./tvklan.al