Ligji i luftës që Greqia ka me Shqipërinë nga 10 Nëntori i vitit 1940 është edhe arsyeja për Kryeminsitrin Edi Rama që mban ende të pazgjidhura një sërë çështjesh me Athinën zyrtare, mes të cilave edhe marrëveshjen e detit.

Në një intervistë të dhënë për televizionin “Mega”, që ka marrë vëmendjen e shtypit të shkruar grek, kreu i qeverisë shqiptare kërkon heqjen e tij sa më parë, si e vetmja pengesë për marrëdhënie normale mes dy vendeve fqinje.

“Ajo që diskutuam, dhe që të dy unë dhe kryeministri juaj kemi thënë nga fillimi, është se duhet të sqarojmë të gjitha çështjet e pazgjidhura nga e kaluara, dhe kjo është një prej tyre. Gjendja e luftës është shumë i rëndësishëm për ne. Përcaktimi i zonës detare është një çështje e veçantë. Dhe një që duhet ta zgjidhim. Kemi një shprehje që thotë se kur bën shtratin, mund të djegësh të gjitha mbulesat për një kërpudhë. Mendoj se momenti është humbur, sepse bëmë një fillim shumë të mirë kur Kyriakos erdhi në pushtet. Ishte një fillim shumë i mirë. Kishim një perspektivë të përbashkët mbi historinë e gjatë dhe rëndësinë e marrëdhënies sonë, dhe natyrisht doja të shkonim përpara me disa çështje të pazgjidhura. Ne i japim shumë peshë përfundimit të këtij ligji absurd për luftën mes nesh. Sepse, e dini, ligjërisht jemi në luftë”, shprehet Rama.

Pavarësisht këmbënguljes të gazetarit grek se ligji është shfuqizuar në vitin 1987 nga qeveria e vendit të tij, Edi Rama insistoi  se ai është ende në fuqi.

“Jo, nuk është shfuqizuar, por duhet të shfuqizohet. Ajo që ndodhi në të vërtetë është se nënshkruam një traktat miqësie. Po, por ligji është ende në fuqi. Pra, kemi një traktat që na bën miq shumë të afërt, ndërkohë që ligjërisht jemi në luftë. Kjo është marrëdhënia disi skizofrenike që kemi si fqinjë”, thekson Rama.

Interesit nëse pala shqiptare ka një afat për arritjen e një kompromisi lidhur me marrëveshjen e detit, Kryeministri i kundërpërgjigjet me dakordësinë që qeveria e tij arriti me Italinë fqinje për një tjetër pakt, atë të emigrantëve.

Bëhet fjalë për të dyja palët që të ulen dhe të punojnë së bashku dhe të mos lejojnë që të shpërqendrohen nga gjërat që na kanë mbajtur peng për kaq gjatë. Kemi bërë një marrëveshje me Kryeministren e Italisë, znj. Meloni, mbi çështjen e refugjatëve. Ata pyetën nëse ishte e mundur dhe ne thamë “po””, deklaron Kryeministri.

Në intervistën e dhënë për televizionin “Mega”, Kryeministri Rama nuk përjashton mundësinë e një vizite në Athinë. Ai flet për perspektivën europiane të vendit tonë, zgjedhjet parlamentare të 11 Majit si dhe investimet e huaja, përfshi edhe atë të Jared Kushner, si investitor strategjik në ishullin e Sazanit.

Tv Klan