Për herë të parë, kryeministri ka komentuar listat e kandidatëve për deputetë të rivalëve të tij në opozitë.

“Na ishte njëherë Partia Demokratike, na ishte njëherë dhe s’është më kjo, kjo është një kënetë më një buf dhe me gjithëçfarëlloj speciesh. Shihni pak kur të dalë lista e mbyllur, dhe doni apo s’doni ju aty janë speciet më të ulëta politike, aty do ti keni, kështu që ju si të doni”, tha Edi Rama.

Sipas Ramës më 11 Maj shqiptarët kanë një zgjedhje shumë të qartë.

“Është zgjedhje shumë e qartë kjo e kësaj here. Nuk ka qenë më e qartë edhe për faktin se më 11 Maj, Shqipëria do të vendosë të gjitha forcat e veta për të realizuar anëtarësimin. Ose një votë për mua dhe për ne bashkë për Shqipërinë 20230, ose një votë për kënetën dhe për tu kthyer prap në gropën e kua-kua-kuave gjë që nuk ka për të ndodhur kurrë, dhe kush do ta hedhë votën në atë drejtim do të marrë më qafë fëmijët e vet”, tha Rama.

Rama u pyet nëse do të vijojë që të kalojë oqeanin.

“Unë me oqeanin nuk kam pasur probleme. Të jesh i sigurt që e kaloj oqeanin sa herë të dua dhe mos u çudit fare kur ta shikosh që jo do ta kaloj, por nuk po flas më shumë po ia lë kohës se dua të të bëj një surprizë të këndshme ty dhe kënetës”, tha kreu i qeverisë.

 Rama u ndal edhe tek anëtarësimi i Shqipërisë në BE.

“Energjinë më të madhe e gjej tek hakmarrja. Dua të marr hak. Na kanë poshtëruar shumë gjatë, na kanë poshtëruar të huajt na kanë poshtëruar tanën me dhjetëra e dhjeta vite. Është koha të marrim hak, dhe është fantastike të marrim hak duke u ulur në tryezën e BE njësoj të barabartë me të tjerët”, tha Rama.

Klan News