Kryeministria ka njoftuar Presidentin e Republikës, Bajram Begaj në lidhje me krijimin e vakancës për kryetar bashkie të Himarës.

Më tej, në shkresën drejtuar Presidentit Begaj, kërkohet caktimi i datës së zgjedhjeve të pjesshme për kryetarin e Bashkisë Himarë brenda afateve që përcakton ligji zgjedhor.

Kjo ka ardhur pasi KQZ ka shpallur të pavlefshëm mandatin e Fredi Belerit si kryebashkiak i Himarës pasi ky i fundit është dënuar me 2 vite burg me vendim të formës së prerë për shit-blerje votash.


SHKRESA DREJTUAR PRESIDENTIT:

Në zbatim të ligjit nr.138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, është organi kompetent për administrimin, verifikimin, zbatimin e ndalimeve për zgjedhjen dhe emërimin për funksionet publike etj.

Me vendimin nr.69, datë 5.7.2024, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nëpërmjet Komisionerit Shtetëror konstatoi pamundësinë e ushtrimit të detyrës nga kryetari i zgjedhur i bashkisë, zoti Dhionisios (Alfred) Petro Beleri dhe si pasojë ka shpallur të pavlefshëm mandatin e kryetarit të bashkisë, pasi ai është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal. Kjo vepër hyn në kategorinë e veprave penale, për kryerjen e të cilave persona të caktuar nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie etj.

Në lidhje me këtë vendimmarrje kemi marrë njoftim zyrtar nga ana e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve. Nisur nga sa më sipër dhe në zbatim të detyrimeve ligjore që burojnë nga Kodi Zgjedhor përkatësisht neni 10 i Kodit, si dhe neni 61, paragrafi 4, i ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, ju njoftojmë për krjimin e vakancës për kryetar të Bashkisë Himarë, e si rrjedhim caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme për kryetarin e Bashkisë Himarë brenda afateve që përcakton ligji zgjedhor.


/tvklan.al