Në vizitën e saj të parë në Kosovë kryeministrja Ana Brnabic premtoi se Serbia do të jetë gjithnjë me popullin e saj që jeton aty. Sipas Brnabic interesat e Serbisë janë paqja dhe stabiliteti në rajon. Ajo theksoi se nën udhëheqjen e presidentit Vucic shteti serb ka investuar më shumë për veriun e Kosovës sesa ishte bërë në 40 vitet e fundit.
“Dua që të dërgoj një mesazh të qartë, paqeje, stabiliteti dhe tolerance se ne do të jemi gjithmonë me popullin tonë në Kosovë.
Ky është një moment jashtëzakonisht i vështirë dhe kompleks, por pavarësisht provokimeve, paqja është ruajtur.
Interesat e Republikës së Serbisë dhe të popullit serb janë paqja dhe stabiliteti në këto rrethana të vështira. Do të sigurojë që fëmijët të qëndrojnë këtu, të shohin të ardhmen e tyre këtu, të shohin rritje të pagave dhe pensioneve”, është shprehur Ana Brnabic.
Sipas Brnabic është e rëndësishme që në Mitrovicë është ndërtuar një qendër ku fëmijët do të mund të mësojnë teknologji modern.
Kjo është vizita e parë e kryeministres Ana Brnabić që nga viti 2017 , kur ajo u zgjodh për herë të parë kryeministre.
Ketë radhë kjo vizite merr një domethënie të veçantë pasi vjen në një kohë kur Serbia e Kosova ranë dakort për njohjen reciproke të kartave të identitetit në pikat kufitare, por nuk kanë arritur zgjidhje për përdorimin e targave.
Klan News