Forca të shtuara të policisë, EULEX-it dhe KFOR-it ishin të pranishme në mëngjesin e së mërkurës në Urën e Ibrit.
Shkak ishte protesta e thirrur nga serbët lokalë të Mitrovicës së Veriut të cilët shprehën qëndrimin e tyre kundër hapjes së urës.
“Sa herë që ata marrin vendime të dëmshme dhe kundër vullnetit të qytetarëve këtu, ne do të mblidhemi në të njëjtin vend dhe do të miratojmë me deklarate se ne nuk pajtohemi me këtë”, tha Nikolla Kabashiç, ish-kryetar i Gjykatës së Mitrovicës.
Protesta mbi një orëshe u mbyll e qetë dhe pa probleme.
Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla bëri një vizitë të paparalajmëruar në Mitrovicë, e dyta brenda dy ditëve.
Në një deklaratë për mediat ai tha se çështja e hapjes së urës së Ibrit është e mbyllur dhe se nuk i përket dialogut me Serbinë të ndërmjetësuar nga Brukseli.
“Kjo është vizitë e rregullt, erdha me pa me i bo matjet. Inspektimi i ka 2 faza. Jemi në proces dhe jemi duke shkuar sipas planit. Nuk po shoh asgjë të jashtëzakonshme. Çështja është e mbyllur, qysh më 2016. Nuk është çështja e dialogut fare. Është çështje e të drejtës për t’u hapur dhe e një vendimi që është tashmë publik. Ata kanë të drejtë të protestojnë, është e drejtë e tyre demokratike, nuk ka kurrfarë telashe”, tha Sveçla.
Hapja e urës sipas tij është në varësi të inspektimeve që po kryejnë ekspertët.
Faktori ndërkombëtar kundërshton hapjen e urës në këtë periudhë duke thënë se kjo çështje duhet diskutuar në kuadër të dialogut.
Tv Klan