Trajneri: Besoj tek lojtaret, shpallemi kampionë
Orges Shehi pranoi të merrte detyrën si trajner i Kukësit, 12 javë nga përfundimi i sezonit, me bindjen e fortë se kjo skuadër e ka potencialin të shpallet kampion. Këtë bindje, ish-trajneri i Skënderbeut ia japin futbollistët që ka Kukësi.
“Kukësi është skuadër e madhe me shumë cilësi. Që kur është ndërtuar Kukësi është kampion. Ka pritshmëri të mëdhaja dhe presioni duhet të jetë pozitiv dhe jam besimplotë se Kukësi do dalë kampion”.
Sikurse e thotë vetë, skuadra është ndërtuar për të pretenduar titullin kampion, por tashmë në vendin e dytë me 4 pikë pas Tiranës, çfarë detyre i del teknikut të ri me një ekip të tillë.
“Koha nuk është e mjaftueshme. Trajneri nuk mund të ndryshojë shumë gjëra. Do përqëndrohem tek ana psikologjike dhe nuk do ndaloj duke i thënë lojtarëve që ata janë më të mirët”.
Presidenca është e padurueshme për të marrë rezultate. Drejtuesit duan që Kukësi të jetë gjithnjë në vend të parë. Ndryshimet që pritet të bëjë trajneri janë fare pak.
“Plani është që të punoj me ata lojtarë. Vetëm bashkë dhe duke qenë bashkë mund të kalohen këto situata. Të rikthehemi tek fitorja dhe entuziazmi se vetëm kështu arrihet”.
Me klauzolën që duhet të shpallet kampion këtë vit, Orges Shehi kë bërë një marrëveshje me Kukësin deri në fund të sezonit të ardhshëm.
Orges Shehi është i 23-ti që merr drejtimin e një skuadre të Superligës këtë sezon duke llogaritur këtu edhe zëvendës trajnerët apo teknikët e komanduar që kanë drejtuar për një ndeshje.
Skuadrat e vetme që nuk kanë ndryshuar drejtuesin e stolit janë Skënderbeu, Vllaznia dhe Bylis. Ndërsa klubi me më shumë ndryshime në pankinë është Luftëtari, plot 5 herë. Së fundmi, gjirokastritët drejtohen sërish nga zëvendësi Neritan Novi.
Tv Klan