Në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Europian në Luksemburg ka nisur seanca për shqyrtimin e modelit të iniciuar nga qeveria e Italisë për kthimin e shpejtë të refugjatëve të paligjshëm, që vijnë përmes detit Mesdhe pa prekur territorin e BE-së duke i zhvendosur ata në kampet e ngritura në Shqipëri.
Ky proces synon të sqarojë nëse plani i qeverisë italiane për shqyrtimin e kërkesave për azil, i vënë në jetë përmes protokollit Shqipëri-Itali, është në përputhje me të drejtën e BE-së.
Gjithashtu Gjykata Europiane do të shqyrtojë nëse një qeveri ka kompetencën për të përpiluar listën e shteteve të treta të sigurta dhe nëse ajo ka të drejtën të përcaktojë kriteret për të klasifikuar një vend si të sigurtë.
Çështja para gjykatësve europianë buron nga ankesa kundër refuzimit të azilit nga dy shtetas të Bangladeshit të dërguar në objektet e Shëngjinit dhe Gjadrit në mes të muajit tetor të vitit të kaluar.
Drejtësia italiane i ka pezulluar tri here planet e qeverisë për të dërguar emigrantët në Shqipëri, duke detyruar autoritetet të kthejnë pas në Itali 66 persona të kapur në det.
Tv Klan