Ëndrrat nuk zgjasin përgjithmonë dhe për kombëtaren shqiptare e tillë do të mbetet edhe ajo në Kampionatin Europian.
Vetëm 270 minuta qëndroi në mendjen dhe zemrën e të gjithë shqiptarëve, pasi aventura në Gjermani përfundoi vetëm me 3 takime të grupit.
Kuqezinjtë e Sylvinho ishin shumë pranë mrekullisë, por ashtu si 8 vite më parë nuk ia dolën dot. Humbja 1-0 përballë Spanjës ndërpreu në mes dëshirën për të qenë sërish pjesë e kompeticionit ndërkombëtar.
Në Dyseldorf u luajt një takim me raste nga të dy skuadrat, por ishin iberikët ata që gjetën fundin e rrjetës që në pjesën e parë.
Ishte Ferran Torres që në minutën e 13-të përfitoi nga pozicionimi i Mitaj dhe në limitet e pozicionit jashtë loje arriti të shënojë.
Avantazh i menaxhuar siç duhet nga skuadra e Luis de la Fuente, që e mbylli pjesën e parë me rezultatin 1-0. Në fraksionin e dytë të lojës, Sylvinho aktivizoi artilerinë e rëndë të sulmit, mes të cilëve, Broja, Hoxha, Muçi edhe talentin Berisha.
Por pavarësisht shanseve për t’i ndryshuar kah rezultatit nuk arritën që të shënonin, duke u eliminuar kështu nga Europian me një bilanc prej 2 humbjesh dhe 1 barazim.
Klan News