Sipas gazetarit Armand Shkullaku, ka shumë gjasa që në Kosovë “të krijohet qeveri me parti opozitare”. Megjithatë, ai theksoi se fitorja e Albin Kurtit është përsëri e jashtëzakonshme, duke shtuar se është partia e parë pas asaj të Ibrahim Rugovës që “rrëmben” një rezultat të tillë.

PDK e LDK s’kanë bërë vota sa Albin Kurti”, tha Shkullaku.

Pavarësisht se Kurti është shumë më para rivalëve politikë me shifra, ka një pengesë të madhe për të marrë një tjetër mandat. Duhen së paku 61 ulëse në Parlament për formimin e qeverisë, gjë që gazetari e sheh me pesimizëm për “Vetëvendosjen”.


Ai renditi 3 arsye kryesore pse një parti tjetër opozitare mund të mos i bashkohet LVV-së.  

“Fuqia e Kurtit është ngritur pikërisht nga diferencimi që ai ka bërë me partitë tradicionale, është e pazakontë në Kosovë. E dyta, e shoh të vështirë sepse e patë dhe vetë që në mënyrë edhe arrogante, Richard Grenell ka bërë dy ndërhyrje gjatë fushatës, duke bërë thuajse thirrje të hapur që të mos e votojnë. Këto 3 partitë e tjera kanë qenë të mbështetura te aleanca me SHBA-të, gati të gjunjëzuar. Kështu që nëse Grenell u thotë të mos bëjnë koalicion me Kurtin, ata ia dëgjojnë fjalën. Së treti, cilado parti të futej në koalicion me Kurtin, do merrte edhe përgjegjësinë dialogun e zbatimit të marrëveshjes për Asocacionin, një përgjegjësi që nuk do i mbetej vetëm Kurtit. Janë disa sfida”, analizoi Shkullaku.

Po në rast se PDK, LDK dhe Aleanca bashkojnë forcat dhe marrin qeverisjen, çfarë ndodh më tej?

“Partia e opozitës, PDK me siguri, LDK dhe Aleanca mund të arrijnë një marrëveshje, por mos harrojmë se do jenë në dy prova, se janë zgjedhjet lokale në vjeshtë dhe ato për President, dhe sipas Kushtetutës së Kosovës duhen 82 deputetë prezentë në sallë për zgjedhjen e Presidentit, përndryshe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme”, tha gazetari.

/tvklan.al