Një ditë pas ngritjes së aktakuzës ndaj 45 personave për sulmin terrorist në Banjskë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se kjo ka mundur të bëhet më herët. Ndërsa nuk e komentoi përmbajtjen e saj.
Kreu i ekzekutivit insiston që duhet të dorëzohet kryekrimineli serb, Milan Radojiçiç, pasi akti është kryer në Republikën e Kosovës.
Dorëzimit e Milan Radoiçiç, kryeministri e ka ndërlidhur edhe me kërkesën e tij që Serbia të tërhiqet nga letra e dorëzuar në BE dhe të nënshkruhet marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit.
Një ditë më parë Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzës për 45 persona të përfshirë në sulmin e Banjskës të Zveçanit.
Më 24 Shtator të vitit të kaluar, një grup i armatosur serb e pati sulmuar Policinë e Kosovës në Banjskë, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Nga shkëmbimi i zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë, ndërkaq pjesa tjetër e grupit kishte ikur në drejtim të Serbisë.
Përgjegjësinë për sulmin e pati marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç, i cili aktualisht ndodhet në Serbi.
Tv Klan