Janë tre argumentet mbi të cilat Kuvendi bazon kërkesën drejtuar Gjykatën Kushtetuese për rrëzimin e padive të përbashkëta të Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve dhe Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë, të cilat pretendojnë shfuqizimin e disa neneve në 3 prej ligjeve më të rëndësishme të Reformës në Drejtësi, ku dominojnë ato të ligjit të vettingut, që rregullojnë kontrollin e pastërtisë së figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe lidhjet e tyre me krimin e organizuar.
Në një material shkresor që mban firmën e kryetares së Komisionit të Ligjeve, Vasilika Hysi, Kuvendi shpjegon se kërkesa nuk duhej të ishte pranuar fare nga Gjykata Kushtetuese, për shkak të mungesës së legjitimitetit formal nga kërkuesi.
Sipas Kuvendit, avokati që mbron interesat e dy shoqatave të gjyqtarëve nuk rezulton në listën e avokatëve që mund të ushtrojnë profesionin përpara Gjykatës Kushtetuese. Nënvizohet gjithashtu se në dosje mungon një autorizim nga Këshilli Drejtues i Unionit të Gjyqtarëve, ndërsa argumentohet se të dyja shoqatat nuk mund të ngrejnë pretendime për çështje që lidhen me prokurorët.
Shtylla e dytë mbrojtëse e Kuvendit ka të bëjë me faktin se një pjesë e çështjeve të pretenduara janë shqyrtuar njëherë nga Gjykata Kushtetuese dhe janë rrëzuar.
Argumenti tjetër i Kuvendit ka të bëjë standardet ndërkombëtare të ndjekura në hartimin e këtyre ligjeve, arsye për të cilat pretendimet e shoqatave të gjyqtarëve cilësohen si të pabazuara.
“
Pretendimet se në procesin e verifikimit të figurës duhet të përdoren vetëm vendimet gjyqësore nuk qëndrojnë – argumenton Kuvendi – pasi qëllimi parësor i ligjit është të evidentojë nëse gjyqtarët ose prokurorët janë të përshtatshëm për të ushtruar funksionet e tyre përmes një procesi administrativ/ disiplinor dhe jo përmes një procesi penal”
, thekson dokumenti i firmosur nga Vasilika Hysi.
Sa i përket ankesës për shtrirjen e kontrollit të figurës edhe tek personat e lidhur, Kuvendi rikthen në vëmendje opinionin e Komisionit të Venecias që nuk e quan këtë “një gjë të vështirë, nëse gjyqtarët dhe prokurorët nuk kanë realisht lidhje me krimin e organizuar”. Një praktikë e tillë – shton Kuvendi – ndiqet nga punonjësit civilë dhe ushtarakë të NATO-s, familjarët e afërt të të cilëve kanë gjithashtu detyrimin për të raportuar mbi lidhje të papërshtatshme.
Palët do të paraqesin qëndrimet e tyre në një seancë që do të zhvillohet të mërkurën 19 korrik, përpara trupës së Gjykatës Kushtetuese./ABC News