Gjykata Kushteteuse po shkon drejt shkrirjes totale dhe rrezikon që të mbetet vetëm me një anëtar. Kryetari i saj Bashkim Dedja rrezikon të mos e kalojë “rrjetën” e Vettingut.
Sipas hetimit të thelluar të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ai nuk justifikon një pjesë të pasurisë. Gjatë seancës dëgjimore, komisionerja argumentoi se Dedja është pronar i apartamenti dhe një garazhi në Tiranë me vlerë 180 mijë Euro. Ai ka deklaruar se 120 mijë Euro i ka marrë kredi, ndërsa 25 mijë të tjera hua nga kunati dhe vëllai i tij.
Për 10 mijë Eurot të cilat ia ka marrë kunatit ai ka lidhur një kontratë noteriale. Por nga verifikimet që janë kryer, ka rezultuar se ditën e firmosjes së kësaj kontrate kunati i tij ka qenë jashtë vendit. Sipas KPK, kjo kontratë ka mangësi ligjore, pavarësisht se më vonë Dedja ka paraqitur një dokument tjetër që sqaron se paratë ia ka marrë babait të kunatit.
Një tjetër moment i dyshimtë për komisionin është dhe huaja prej 15 mijë Eurosh që kryetari i Gjykatës Kushtetuese i ka marrë vëllait të tij. Në këtë kohë rezulton se vëllai i Dedjas ka blerë një apartament dhe ka marrë një kredi prej 42 mijë Eurosh dhe në të njëjtën kohë i ka dhënë dhe hua gjyqtarit. Komisioni përmendi edhe një apartament të blerë në vitin 1997 në Tiranë. Fillmisht ka deklaruar se është bashkëpronar me vëllain e tij dhe më pas se e zotëron atë 100%.
Por tjetër gjë pretendoi avokati i Bashkim Dedjas, Maks Haxhia, sipas të cilit pasuria e tij është e ligjshme dhe justifikuar.
Deri tani e vetmja që është rikonfirmuar në detyrë nga pjestarët e Gjykatës Kushtetuese është Vitore Tusha. Para KPK pritet të dalë edhe anëtari i fundit i Kushtetueses, Gani Dizdari. Me procesin e Vettingut, Gjykata Kushtetuese është tërësisht jashtë funksionit, pasi nuk mund të pranojë apo të shqyrtojë asnjë çështje.
Tv Klan