Ish-kryetarja e Parlamentit dhe ish-nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli, është përlotur kur ka dalë në foltore për të mbajtur fjalën e saj në Kuvendin që po zhvillohet këtë të shtunë.

Teksa po zbriste drejt foltores, Topalli u shoqërua me duartrokitje, çka duket se e preku dhe nisi të përlotet në nisje të fjalimit të saj. Ish-nënkryetarja e PD u shpreh mirënjohëse ndaj të gjithë demokratëve të pranishëm.

“Kur dola nga shtëpia për një moment po mendoja sikur një Kuvend tjetër më parë të kisha dalë dhe të kisha thënë ato që kam thënë gjatë këtyre viteve. Sot më latë pa fjalë, ju jam shumë mirënjohëse”, tha Topalli.

Topalli: Nuk jam larguar kurrë nga PD, boll e keni lënduar këtë parti

Jozefina Topalli është rikthyer në Partinë Demokratike dhe në Kuvendin e zhvilluar ditën e sotme ka mbajtur një fjalim emocional. Ajo u shpreh se nuk është larguar kurrë nga PD, por partia u largua nga demokratët.

“Dikush do thotë se ti ike e krijove lëvizjen tënde. Unë nuk jam larguar kurrë nga PD. Ka ikur ajo nga demokratët”, u shpreh Topalli.

Topalli u shpreh se nuk i ka shitur kurrë miqtë dhe familjen e saj politike. Sa i përket PD ajo bëri thirrje “atyre që çojnë partinë e tyre në gjykatë, në mënyrë të palegjitimuar” që të mos e lëndojnë më këtë parti.

Sipas Topallit jo vetëm PD-ja, por edhe Shqipëria ka ndryshuar për keq.

“Para se të me akuzonin për armike më kanë akuzua për arrogancë. Mbase pasioni për të drejtën të bën të dukesh edhe arrogant, të ndjehesh edhe trim, por blerë e shitur miqtë, familjen politike, gjakun e familjarëve të mi, vetminë e fëmijëve të mi të rritur me shumë me gjyshe se me mua, nuk e kam bërë kurrë! Dhe këtë megjithëse mundohem, nuk e harroj dot; por natyrisht e kam fal. Ndaj jam këtu sot. Se konsideroj situatën si një pikë kritike për opoziteën, pluralizmin dhe per vendin. Jam këtu me vetëdijen, që sot jo vetëm PD është në krizë, por struktura politike në Shqipëri ka ndryshuar per keq! Balancat janë prishur. Pothuaj çdo gjë është kthyer në korrupsion! Ngado të hedhësh sytë përkthehet vetëm para, gjë që bën gati qesharake këdo që mendon se në këtë botë përveç parasë ka edhe shumë gjëra të tjera të forta që kanë mbajtur në ekuilibër njerëzimin. Por jam sot këtu, edhe sepse besoj se asgjë nuk është e pamundur”.

“Atyre që çojnë partinë e tyre në gjykatë, në mënyrë të palegjitimuar i them se boll e keni lënduar këtë parti nga e cila keni marrë pa merituar”.

“Jam këtu se nuk kam ndër mend me ndalu apo me qëndru anash; do jem si gjithmonë vehtja ime,  si besimtare e parimeve demokratike për të gjithë ditët që më mbeten”, tha Topalli.

Fjala e plotë:

Herën e fundit që kam qenë në Kuvend të Partisë tonë, ka qenë pas zgjedhjeve të 2013.

Ishim mësuar të ishim pjesë e një partie që fitonte zgjedhjet dhe sa herë PD fitonte, ne ishim në gjendje të bënim ndryshime për mirë.

Kemi bërë edhe gabime dhe sot besoj këtu biem dakord të gjithë.

Por ama në Pushtet qeverisnim, në opozitë ishim të fortë dhe të vërtetë.
Më lejoni të ndalem këtu tek opozita jonë.
Në vitet më të gjata e të vështira të opozitës para 2005, askush nuk na quajti për opozitë të rreme

Nuk e mendonim se mund te korruptoheshe në opozitë, nuk vinim gjoba; nuk shisnim misionin e opozitarizmit!

Nuk këmbenim me Zarfe vendet e deputeteve, e nuk digjnim mandate.
Nuk i iknim përgjegjësive dhe nuk imagjinonim të hidhnim gaz ndaj njerëzve tanë.

Ishim mësuar të bënim beteja për të vërtetat tona, pavarësisht sa mund të kushtonte.
Besonim se kishim për detyrë te ishim mbrojtësit e të drejtave e lirive të qytetareve, gardianë të interesit publik, të mbanim nën kontroll qeverinë.

Ishim mësuar të mos tërhiqeshim as nga kërcënimet.

Por, erdhi dita kur Partisë sonë Demokratike, të mos i mbeste gjë demokratike, atje lart, në udhëheqjen e saj.
Gjerat u ngatërruan dhe kur gjërat ngatërrohen, fundi i tyre duhet vlerësuar nga fillimi.

Fillimi ynë, i te gjithëve ne bashkë edhe atyre që nuk janë sot në këtë sallë, por me zemër e mendje janë po aq demokratë sa ditën e parë, është arsyeja pse jam këtu sot. Ku në fakt kam qenë gjithmonë, edhe pse me dhimbje e them, për disa e padëshiruar.

Njeriu në kaq jetë sa kemi, ka aq vlerë sa guxim e vendosmëri, aq sinqeritet sa baraspeshë në gjykim, aq trimëri sa respekt për vetveten, dhe aq dëlirësi sa ka të zhvilluar ndjenjën e turpit.

Cili ishte fillimi i rënies tonë?

Dita kur filluan të rrëzohen vlerat mbi të cilat u ngrit kjo parti.
Dhe për vite me radhë kjo ka ndodhur dhe kemi heshtur. Kemi heshtur, për shume vite kemi heshtur.

Pas 2013 tatëpjeta e PD mori vrapin. Nuk kishte nevojë për analiza për të kuptuar se kishte gjëra që nuk shkonin në partinë tonë. Shumë ishin konfuzë, të hutuar. Disa përqafuan kryetarin e ri me shpresë se e ardhmja do na buzëqeshte po aq sa ai i buzëqeshte të gjithëve.

Por e ardhmja çdo ditë e më shumë ngjante me rrokopujën, rënien e mendimit politik e intelektual dhe jo rrallë filloi te shfaqej edhe me banale se sa mund të mendohej.

Pas 2013 PD hyri në krizë. Krizë identiteti . Krizë përfaqësimi. Krizë lidershipi

-Në Parlament deputetët bënin betejën me krimin, ndërkohe udhëheqja me buzëqeshje bënte pazare me pushtetin.
-Në rrugë,qytetarët protestonin për të drejtat e tyre.
-Në zyrën bashkiake te kryetarit te PD, kishin nisur negociatat për lejet e ndërtimit
-Ne shtëpitë e shqiptarëve kishte nisur largimi nga puna, në shtëpinë e kryetarit shtohej puna për kunatin.

E kështu, ditë pasa dite e vit pas viti, në vend të hapeshim u mbyllëm, në vend të gjithëpërfshirjes erdhi përjashtimi, në vend të dëgjimit të njeri-tjetrit, nisi shpallja e grupeve armiqësore, në vend të bashkëpunimit erdhi përçarja, në vend të parlamentit nisi çadra, në vend te zgjedhjeve shtroi rrugë bojkoti, në vend të pranimit të humbjes, humbja nisi te quhej fitore!

Të parët që e perceptuan ishin shqiptaret,që në 2017.
Dhe nuk e kam fjalën thjesht për rezultatin e zgjedhjeve. E kam fjalën për më të rëndën që po i ndodhte vendit tonë, për largimin e shqiptarëve nga vendi.

Ata jo vetëm ishin te pa kënaqur me qeverinë, por ata nuk shikonin me alternativë. Ata ndiheshin te tradhtuar, në perceptimin e tyre ata “kryetarët” ishin bashkë. Ajo që pamë më pas na tregoi se nuk ishte vetëm perceptim.

Në politikë thuhen edhe ca të vërteta. Prandaj jemi sot këtu. E di që jo të gjithë e bëjnë. Kështu ka ndodhur dhe ndodh edhe sot, edhe ne vende të tjera. Konformizmi, heshtja dhe vonesa në reagim kanë qenë arsyeja tjetër kryesore e rënies së PD-së.

Unë nuk i përkas atyre qe e përbuzin politikën dhe shajnë politikanin. Jo. Sepse politikani i mirë, ka barrën si askush për të mbajtur përgjegjësi dhe për të dhënë zgjidhje.

Por jam dakord që njeriu dhe sidomos një politikan që karrierën politike e sheh vetëm si dhuratë, e shkatërron profilin e çdo politikani. Sepse njeriu politikan shkatërrohet me politikën pa principe,me qejfet pa ndërgjegje,me pasurinë qe nuk është fryt i punës,me dijen kur vjen pa karakter,me marrëveshjet kur bëhen pa moral dhe me besimin kur vjen pa sakrifica.

Të dashur miq!
Opozita e PD nuk ka qenë kurrë e lehtë. Por ju jeni po aq sa unë të ndërgjegjshëm që këtë opozitë nuk e meritoni. Ndaj, lëvizjet para foltores ishin gjëja më e pastër dhe shkundja nga gjumi fitimprurës i Lulëzimit.

Lëvizja ishte tharmi! Foltorja ishte gjëja më e bukur që mund të ndodhte për të zgjeruar strukturat.
Kuvendi i 11 Dhjetorit ishte hapi i parë i rëndësishëm për t’u ndarë nga pazaret. Kuvendi i sotëm është një tjetër gur kilometrik në betejën për të gjetur veten.

Ne e dimë, që beteja qe kemi përpara nesh do jetë e fortë. Dhe nuk është hera e parë.
Ne e dimë se rimëkëmbja është më e vështirë se fillimi, por,nga eksperienca mbaj mend se pavarësisht sa pengesa ke para, asgjë nuk e ndalon shumicën e qytetarëve që duan ndryshim.

E di! Ka shume cinikeë që thonë se nuk do ia dalim. I kam dëgjuar edhe shumë vite më parë, i kam dëgjuar edhe pak vite më parë, kur herë bashkë me kolege te tjerë dhe herë krejt vetëm nuk pushoja se luftuari për një opozitë jo të rreme.
Edhe pse e dija sa e rrezikshme është “të kesh të drejtë, kur shefi e ka gabim”.

E di! Cinikët do shtohen dhe do bëhen me te zhurmshëm në javët dhe muajt e ardhshëm.
Mund të thonë se po i japim shpresa false njerëzve.
Por ne historinë e betejave për te vërtetat , nuk mund të ketë asgjë falsë që ka të bëjë me shpresën.

Te tjerët mund të na vendosin edhe mure. Mund te duket e çuditshme , por në kohë bravash e dyersh të blinduara, “çdo mur është një portë”.

Ne familjen time kur isha e vogël me kanë mësuar se, “njeriu mund të rrëzohet disa herë, por nuk është kurrë i mundur deri në momentin që refuzon te ngrihet”. Kjo vlen për çfarë na ndodh në jetë, por po ashtu edhe në politikë.

E vërtetë! Partia jonë sot në fakt është e plagosur, dhe ne duhet të dalim nga trauma dhe hutimi. Ne kemi një instinkt, por jo argumentim se çfarë do thotë të jesh demokrat. Si shoqëri kemi probleme me kulturën e demokracisë ndaj një debat i madh për demokracinë është i rëndësishëm edhe pas Kuvendit.

Është paradoksale por reale që ne jetojmë në epokën digjitale , por edhe në kohën e sfidës që autokracia po i bën demokracisë. Ajo qe ndodh me klasën tonë politike është dëshmi e saj. Ne vazhdojmë të kemi para një sfidë ekzistenciale për opozitën dhe pluralizmin. Por ne mund të vendosim shpresën para frikës. Vetëm se përsëri ka një kusht: Të jemi të vërtetë. Prandaj jemi bashkë këtu!

Sa here kemi qene të vërtetë shqiptarët na kanë besuar. Kur u bëmë pragmatistë na hoqën besimin. Dhe kanë pasur të drejtë. Prandaj në thelb sfida jonë është të fitojmë besimin.
Ai nuk fitohet me forcë, as me deklarata. Besimi fitohet me vepra e me të vërtetat dhe nga këto të fundit nuk duhet të kemi frikë!

Gjithmonë kam menduar se nuk është vetëm pushteti , qe korrupton, por edhe frika!

Kur kemi patur sfida shume te vështira, kur na kanë thënë që nuk duhej ta provonim, se nuk do ia dilnim, shqiptarët i janë përgjigjur me një “kredo” pa kohë: Po! Ne do bëjmë betejën tonë dhe do fitojmë!

Ne nuk kemi pse te kemi frikë tjetër përveç frikës!Kjo është gjeja qe i them me shpesh vetes. Prandaj e përsëris edhe këtu.

Kur kam hyre ne politike isha rreth 30 vjeçe, një nënë e re me dy fëmijë te vegjël. Vija nga Shkodra.
Në opozitën e parë nuk kuptoja aq shumë nga politika , por mësova të beja beteja.
Në opozitën e dytë, guxova të ngrihesha kundra krimit në parlament e pastaj kundra opozitarizmit të rreme te ish udhëheqjes të partisë, nënkryetare e se cilës kisha qenë.

Herën e parë kam provuar edhe armën mbi kokë. Herën e dytë linçimin nga “të mitë” qe ishte më e rëndë se vetë arma.

Nuk do isha e vërtete nëse do thosha se nuk e kam vuajtur, ashtu sikundër jam ndier e lënduar nga vetmia në betejat për këtë çështje që po bëni tani edhe ju, por nuk jam dorëzuar.

Sot , kam dy nipa të vegjël, e përpiqem t’ju rri afër e të bëjë atë qe nuk kam mundur ta bëjë me fëmijët e mi për shkak të kohës së kufizuar kur isha nënë e re dhe nënkryetare.

Para se të më akuzonin për armike më kanë akuzuar për arrogancë. Mbase pasioni për të drejtën të bën të dukesh edhe arrogante, të ndihesh edhe trim, por blerë e shitur miqtë, familjen politike, gjakun e familjarëve të mi, vetminë e fëmijëve të mi të rritur më shumë me gjyshen se me mua, nuk e kam bere kurrë! Dhe këtë megjithëse mundohem, nuk e harroj dot, por natyrisht e kam falur.

Ndaj jam këtu sot. Se konsideroj situatën si një pike kritike për opozitën, pluralizmin dhe për vendin.

Jam këtu me vetëdijen, që sot jo vetëm PD është ne krizë, por struktura politike në Shqipëri ka ndryshuar për keq! Balancat janë prishur. Pothuaj çdo gjë është kthyer ne korrupsion! Ngado të hedhësh sytë përkthehet vetëm para, gjë që bën gati qesharak këdo që mendon se në këtë botë, përveç parasë ka edhe shumë gjëra të tjera të forta që kanë mbajtur në ekuilibër njerëzimin.
Por jam sot këtu edhe sepse besoj se asgjë nuk është e pa mundur!

Partia jonë është ende e plagosur. Do doja t‘i thosha kujtdo, mos lëndoni më shumë plagët tona.
Ne duam të shërohemi, po luftojmë që të shërohemi. Atyre që çojnë partinë e tyre në gjykatë, në mënyrë të palegjitimuar i them se boll e keni lënduar këtë parti nga e cila keni marrë pa e merituar.

Ndërkohë ne duhet te mësohemi se partia nuk është kryetari e aq më pak nuk është thjesht sigla apo më pak godina. PD-ja as merret peng as jepet në përdorim!

Partia është identitet, janë njerëzit , fryma dhe vlerat që ndajmë. Po te mos ishin këta, do ishim shkrirë me atë qe kemi kaluar.

Sot jam me optimiste nga çfarë kam qenë disa vite më parë. Jam këtu edhe në nderim të trashëgimisë sonë. Si Parti Demokratike , përjashtuar vitet pas 2013, kemi bërë shumë për vendin tonë, kemi frymëzuar shqiptarët, sidomos te rinjtë për të besuar se secili mund të bëjë diferencën duke u lidhur me një projekt shumë më të madh se projekti individual. Ne duam ta bëjmë përsëri!

Jam këtu se nuk kam ndër mend të ndalojë apo të qëndroj anash. Do jem si gjithmonë vetja ime, si besimtare e parimeve demokratike ,për te gjithë ditët që më mbeten.

Nuk ka mësues më të mirë se vështirësia. Çdo sulm që merr, çdo rrahje zemre, çdo vuajtje, ka farën e vet, leksionin e saj se si të përmirësojë qëndrimin tënd herën e ardhshme. Kam patur gjithmonë bindjen se nuk mund te pretendosh të ndryshosh situatat kur refuzon të përballesh me to.
Dikush do thotë se ti ike e krijove lëvizjen tende. Unë nuk jam larguar kurrë nga PD-ja. Ajo iku nga demokratët.

Për ju që jeni të rinj apo të rinj në zemër ju sugjeroj vetëm një gjë, shkoni pas te vërtetës, ajo ju jep liri!
Të vërtetat kane qene liria ime! Dhe për të kuptuar çfarë duhet të bëjmë nga sot e tutje ndoshta duhet t’i japim përgjigje 3 pyetjeve:

  1. Çfarë i bëri bashkë shqiptarët e 30 viteve më parë?
  2. Çfarë i mbajti bashkë për vite me sinqeritet e baraspeshë në vitet e vështira ‘97 -2005?
  3. Çfarë na lëndoi kur Lulëzim Basha u investua në ndarje e përçarje?

Ne e dimë përgjigjen. Kur përgjigjen ta kthejmë ne vepër, dhe opozitën ne pushtet moral ,atëherë rruga do jetë më e qartë. Nuk jam këtu se besoj se unë mund te ndryshoj gjerat,por besoj se ju dhe ata që nuk janë këtu mund te ndryshoni gjërat.

Për te gjithë shqiptaret mbështetjen e të cilëve na duhet ende ta fitojmë,vërtet sot ndoshta nuk kemi arritur ende t’ju bindim për të na dhënë votën, por të paktën ju kemi dëgjuar heshtjen e ju kemi kuptuar mendimin.

Na duhet ndihma juaj!

Ne kemi vendosur te zgjedhim shpresën mbi friken, kemi vendosur të bashkohemi në vend që të ndahemi./tvklan.al