Partia Demokratike ka caktuar drejtuese politike për diasporën demokraten Jozefina Topallin. Gazetari i Klan News, Enkel Xhangoli raporton se ndër të tjera është zgjedhur edhe se kush do të zëvendësojë ish-deputetin Ervin Salianji që ishte drejtues politik për qarkun e Elbasanit, i cili tashmë ndodhet nën masën “arrest me burg”. Gazetari bën me dije se Salianji do të zëvendësohet nga deputeti Tomorr Alizoti.

Gjithashtu bëhet e ditur se është vendosur që kryetari i Bashkisë së Kavajës Fisnik Qosja të jetë drejtues politik për Kavajën dhe Rrogozhinën.

Ndërkohë kujtojmë se Partia Demokratike zgjodhi 12 drejtuesit e qarqeve rreth dy muaj më parë ku qarku më i madh në vend, ai i Tiranës i është besuar Belind Këlliçit. Gazment Bardhi, i cili mban edhe detyrën e kreut të grupit parlamentar të demokratëve, do të drejtojë Qarkun e Fierit.

Nënkryetari i kësaj force politike Oerd Bylykbashi do jetë në krye të Qarkut të Durrësit. Luçiano Boçi, i cili mban edhe ai detyrën e nënkryetarit të Partisë Demokratike do jetë drejtues politik në Shkodër. Agron Gjekmarkajt, kryesia e Partisë Demokratike i ka besuar drejtimin e Qarkut të Lezhës.

Korça do të drejtohet nga Ivi Kaso, Kukësi nga Flamur Hoxha, Dibra nga Xhelal Mziu, Berati nga Eno Bozdo, Vlora nga Bujar Leskaj dhe Gjirokastra nga Tritan Shehu.

/tvklan.al