Drejtuesja politike e PD-së për Diasporën, Jozefina Topalli thotë se është shumë e vështirë për të përcaktuar një numër të emigrantëve shqiptarë të cilët do të votojnë në zgjedhjet e 11 Majit 2025 në Shqipëri. Megjithatë thotë se nëse trendi i regjistrimit vazhdon kështu, mund të jenë 150-200 mijë votues të diasporës.
Në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Topalli shprehet se diaspora është një fuqi elektorale e jashtëzakonshme që ka potencialin për të ndryshuar çdo gjë në Shqipëri dhe për të bërë rotacionin politik.
Blendi Fevziu: Sa mendoni se do të jetë numri i shqiptarëve të diasporës që mund të votojnë në këto zgjedhje?
Jozefina Topalli: Unë nuk do të guxoja të jepja një numër sepse është shumë e vështirë të flasësh për numra. Kjo është hera e parë që bëhet votimi i diasporës, sfidë planetare. Ne ndjekim me vëmendje numrat e shqiptarëve që janë regjistruar në PER, nëse vazhdon ky trend mund të shkojë 150-200 mijë, është herët për të pasur një shifër të përafërt. Është një fuqi elektorale e jashtëzakonshme që ka potencialin për të ndryshuar çdo gjë në Shqipëri dhe për të bërë një kthesë dhe një rotacion politik. Pjesëmarrja e shqiptarëve në këtë proces, i bën shqiptarët një faktor politik për çdo rast që do të ketë zgjedhje sepse forcat politike do të kenë shumë interes ndaj diasporës. Është një moment historik, një e drejtë e tyre që i takonte prej kohësh.
Blendi Fevziu: Çfarë po bën PD-ja për të ftuar zgjedhësit që të votojnë në favor të saj?
Jozefina Topalli: Po punohet me qendra dixhitale, me strkturat e partisë, edhe me ato degë që mund të kemi në vende të ndryshme. Nuk është e thjeshtë sepse janë 1 milionë të shpërndarë në shumë vende të botës. Ata jetojnë realitete të tjera. Gjithsesi edhe aq nuk ka qenë e fuqishme, duhet edhe sensibilizimi mediatik, KQZ në mediat sociale duhet të prodhojnë produkte dixhitale. Nëse nuk regjistrohen deri më 4 Mars, humbin të drejtën e votës nga vendi ku banojnë.
/tvklan.al