Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, është shprehur përmes një postimi në rrjetet sociale se Kryesia e Partisë Demokratike nuk ka tagra dhe as kompetenca pasi thirret Kuvendi.

Prandaj sipas saj, çdo mbledhje e kryesisë është ilegjitime. Reagimi i Topallit erdhi pas propozimit të Bashës në mbledhje që më 18 Dhjetor të thirret Kuvendi Kombëtar.

Sipas Topallit, ky propozim i “kujtoi rrenën e Lulit se do ketë zgjedhje lokale më 13 Tetor 2019 meqë ai bojkotoi zgjedhjet lokale të 30 Qershorit të 2019”.

Postimi i plotë i Jozefina Topallit:

Lulzimi sot na kujtoi rrenën se do ketë zgjedhje lokale më 13 Tetor 2019 meqë ai bojkotoi zgjedhjet lokale të 30 Qershorit të 2019! Kur Kuvendi thirret nga anëtarësia dhe depozitohen firmat e thirrjes së Kuvendit sipas statutit, ezaurohet çdo thirrje tjetër për Kuvend. Njëlloj si për zgjedhjet politike. Kur zgjedhjet parlamentare apo lokale thirren sipas Kushtetutës askush nuk mund t’i shtyjë ata e të ndryshojë nismëtarët.

E provoi në zgjedhjet lokale, kur Lulzimi bojkotoi zgjedhjet lokale të 30 Qershorit 2019. Njëlloj si sot, ai i tha demokratëve se kishin fituar dhe se zgjedhjet do bëhen më 13 Tetor 2019. Por sot nuk e beson më kush. Pasi ka humbur 5 herë në çdo zgjedhje ai është vetëm. Demokratët janë tek “Foltorja”.

Koha vërtetoi se Lulzimi gënjeu. Më 13 Tetor nuk ndodhi asgjë. Nuk pati zgjedhje. Komisioni i Venecias njohu zgjedhjet e 30 Qershorit ku Lulzimi nuk mori pjesë, dhe hodhi poshtë 13 Tetorin si të paligjshëm.

Njëlloj është me Kuvendin Kombëtar. Luli e bojkotoi anëtarësinë e demokratëve, siç bojkotoi me 30 Qershor zgjedhjet lokale. Por anëtarësia vendosi thirrjen e Kuvendit edhe pa lulzimin.

Dhe Kuvendi sipas vullnetit të shumicës së delegatëve do mblidhet më 11 Dhjetor. Çdo spekullim tjetër është si rrena e Lulzimit se do ketë zgjedhje lokale më 13 Tetor.

2) Kur thirret Kuvendi, Kryesia nuk ka më as kompetenca as tagër. Çdo mbledhje e saj është ilegjitime. Çdo vendim i saj është nul./tvklan.al