Për shumë njerëz, ideja e qëndrimit në shtrat për 10 ditë duke parë Netflix nuk duket aspak e keqe. Tani, ky privilegj mund të sigurojë një pagesë më shumë se 4000 paund, raporton Daily Mail.
Agjencia Hapësinore Europiane (ESA) po rekruton vullnetarë që të qëndrojnë në një dyshek me ujë për 10 ditë për një studim të zhytjes së thatë.
Eksperimenti Vivaldi III po zhvillohet në Medes Space Clinic në Toulouse University Hospital dhe kërkon të rikrijojë në trup disa efekte të fluturimit hapësinor.

“Gjatë Vivaldi III, 10 vullnetarë do të shtrihen në kontejnerë të ngjashëm me vaskat dhe të veshur me copë rezistente ndaj ujit. Kështu do të jenë të thatë dhe qëndrojnë pezull në mënyrë të njëtrajtshme”, shpjegon agjencia.
“Të zhytur deri në kraharor dhe me krahët e kokën mbi ujë, pjesëmarrësit përjetojnë ndjesinë e pluskimit pa mbështetjen fizike, diçka e ngjashme me atë që përjetojnë astronautët kur janë në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor”.
Shkuarja në tualet është paksa e pafavorshme sepse pjesëmarrësit transportohen me një karrocë duke qëndruar gjithnjë në pozicionin shtrirë.
Vivaldi III është faza e fundit e eksperimentit që synon të zbërthejë ndikimet e mungesës së peshës në trupin njerëzor. Një nga kleçkat e tij është se mund të marrin pjesë vetëm meshkujt.
Vullnetarët do të qëndrojnë në këtë gjendje për 21 ditë. Në 5 ditët e para, do të merren matjet bazë ndërsa 10 të tjera do t’i kalojnë të shtrirë në kontejnerë.
“Pjesëmarrësit do të zhvillojnë eksperimente mjekësore dhe studime shkencore për të ndihmuar studiuesit të kuptojnë sesi hapësira ndikon te trupi. Gjatë vakteve, do të përdorin një tavolinë pluskuese dhe një jastëk për qafën”, thotë ESA.

Telefonatat audio e video lejohen, por jo vizitorët. 5 ditët e mbetura janë për monitorimin dhe rikuperimin, ndërsa pjesëmarrësit duhet të paraqiten për një vizitë 10 ditë pas përfundimit të eksperimentit.
Të gjitha këto shpërblehen në fund me një pagesë prej 4100 paundësh./tvklan.al