Në fjalimin e tij të parë që pas kthimit në Zyrën Ovale, presidenti i SHBA-së, Donald Trump “ka shokuar” qeverinë e Lesotho, një vend në Afrikë duke thënë se “askush s’ka dëgjuar kurrë për të”.
“8 milionë dollarë për të promovuar LGBTQI+ në kombin afrikan Lesotho, për të cilin s’ka dëgjuar askush”, u shpreh Trump duke shkaktuar të qeshura.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Lesotho është shprehur për BBC se vendi ka pasur raporte “të ngrohta dhe miqësore” me SHBA-në. Kjo deklaratë ka qenë shokuese për qeverinë.
Lesotho është një nga përfituesit më të madh të Aktit të Rritjes dhe Mundësisë Afrikane (Agoa) që lehtëson tregtinë e disa vendeve për të ndihmuar tregtinë ekonomike. Sipas qeverisë amerikane, dy vendet kanë shkëmbyer mallra me vlerë 240 milionë dollarë në 2024, përgjithësisht eksport të tekstileve dhe veshjeve nga Lesotho në SHBA.
“Vendi për të cilin askush s’ka dëgjuar” është një vend i vogël në rajonin jugor të kontinentit të nxehtë që përgjithësisht ka vetëm male dhe rrethohet nga Afrika e Jugut.
“Mbretëria në qiell”
Mbretëria e Lesotho ka reliev malor pasi fshatrat mund të përshkohen vetëm me kalë, në këmbë ose mjete ajrore. Quhet “mbretëria në qiell” dhe është shteti i vetëm i pavarur në botë që ndodhet i gjithi në mbi 1000 metra lartësi. Pika më e ulët e tij është 1400 metra. Ka një nga platformat më të frikshme për mjetet ajrore, Matekane është veçse një pistë e vogël me humnera në të dy krahët.

Rrethohet plotësisht nga Afrika e Jugut
Lesotho rrethohet nga Afrika e Jugut, por ndahet prej saj nga vargmalet e larta. Vetëm pak tokë mund të përdoret për bujqësi, popullsia preket nga mungesa e ushqimit dhe mbështetet te të ardhurat nga punët në Afrikën e Jugut. Popullsia është më shumë se 2 milionë dhe ka ngjashmëri kulturore dhe gjuhësore me afrikano-jugorët. Gjuha e tyre, Sesotho është një nga 11 gjuhët zyrtare të Afrikës së Jugut. Në fakt, ajo flitet nga 4.6 milionë njerëz në të duke shënuar një numër më të lartë se sa në Lesotho.
Floriri i bardhë
Burimet natyrore janë të pakta në Lesotho për shkak të relievit të vështirë dhe hapësirës së kufizuar bujqësore. Burimi më i madh natyror që ka është uji të cilin e quajnë floriri i bardhë dhe e eksportojnë në Afrikën e Jugut. Diamantët përbëjnë gjithashtu një pjesë të madhe të eksportit.
Resorti më i madh i skive
Nëse mendoni për sportet dimërore, imagjinoni menjëherë Alpet e Europës. Por Lesotho njihet për sportet e dëborës sepse ka një nga resortet më të larta në Afrikën sub-sahariane. Afriski gjendet 3222 metra mbi nivelin e detit, në malet Maloti dhe tërheq vizitorë nga Afrika e jo vetëm.

Vendasit quhen Basotho
Vendasit e Lesotho quhen Basotho. Disa nga objektet kulturore të lidhura me ta janë batanijet dhe kapelet konike qës quhen mokorotlo. Kapelja është simbol kombëtar dhe gjendet edhe në flamur. Batanijet përbëhen nga leshi i trashë, me modele plot ngjyra që tregojnë ngjarje nga historia e vendit. Populli Basotho i mban si shall në ngjarje të veçanta dhe i dhurojnë.
HIV
Lesotho është një ndër vendet me prevalencën më të lartë të HIV në botë pasi 1 në 5 të rritur diagnostikohen me të. Qeveria amerikane ka dhënë rreth 1 miliard dollarë që prej vitit 2006 që vendi të financojë parandalimin, përkujdesin dhe trajtimin e HIV.
Princi Harry ka marrëdhënie bamirësie
Lesotho është monarki kushtetuese si Mbretëria e Bashkuar. Princi Seeiso, vëllai i vogël i mbretit Letsie III është mik i afërt me princin Harry. Ata kanë themeluar një organizatë bamirësie që quhet Sentebale (Mos më harro) e cila bashkëpunon me komunitetet vendase për të ndihmuar të rinjtë e infektuar me HIV/AIDS. Princi Harry e vizitoi vendin për herë të parë në moshën 19-vjeçare.
Eksporton xhinse
Xhinset lidhen shpesh me perëndimin amerikan, por shumë prej tyre vijnë nga ana tjetër e botës, Lesotho. Fabrikat e vendit kanë prodhuar xhinse për firmat e njohura si Levi’s dhe Wrangler duke u njohur si “kryeqyteti i xhinsit në Afrikë”. Veç tyre, Lesotho është një nga eksportuesit më të mëdhenj sub-saharianë të veshjeve drejt SHBA-së. Shumë prej fabrikave të veshjeve dhe tekstileve janë në pronësi të emigrantëve nga Kina e Tajvani.

Numri më i lartë i vetëvrasjeve
Mbretëria e maleve ka numrin më të lartë të vetëvrasjeve në botë. Në 100.00 njerëz, 87.5 prej tyre vetëvriten çdo vit. Kjo është 10 herë më e lartë se sa mesatarja botërore dhe dyfish sa mesatarja e vendit. Në vend të dytë qëndron Guyana e cila shënon 40 vetëvrasje në vit. Nuk ka një arsye të vetme, por ekspertët thonë se ka të bëjë me abuzimin e drogës dhe alkoolit, mungesën e punëve dhe mungesën e këshillimit të shëndetit mendor./tvklan.al