Shumë e zgjedhin për të shijuar natyrën, disa të tjerë për të provuar gatimet tradicionale, kurse disa të tjerë për të bërë ritualin e kurbanit, ku bujtina “Tomorri” qëndron e hapur për çdo persona që viziton malin e shenjtë.
E zonja e bujtinës, nënë Karajfilja është e para që zgjohet në mëngjes dhe me të zgjuar ajo nis përgatitjen e petullave. Ajo tregon se para 40 viteve familja e saj u shpërngul në nga fshati Ujanik në Skrapar.
Por, ideja e djalit të saj për të rikthyer rrënojat e shtëpisë së tyre të vjetër në një bujtinë e solli pikërisht në fshatin ku dhe lidhi kurorën e martesës. Por, siç tregon vetë nënë Karajfilja, në fillim nuk ka qenë shumë e lumtur për këtë ndryshim, e sot nuk do kurrë që të largohet prej këtij fshati.
Nënë Karajfilja: Nuse kam ardhur, vajzë jam nga një fshat tjetër. Kam ardhur nuse që në ’77 këtu.
Alma Çupi: Si të është dukur fshati?
Nënë Karajfilja: Atëherë ishte pa rrugë pa gjë, si do ishte fshati.
Alma Çupi: Ta priste mendja që do kthehej në fshat turistik?
Nënë Karajfilja: Jo! Nuk ma priste mendja të vij as unë këtu.
Alma Çupi: Doje të ikje?
Nënë Karajfilja: Jo, ne kemi ndenjur në Skrapar në Çorovodë. Kemi ndenjur 40 vjet atje dhe tani jemi kthyer këtu.
Alma Çupi: Po, kur të tha djali që në rrënojat e shtëpisë së vjetër do të bënte një bujtinë, çfarë mendove.
Nënë Karajfilja: Në fillim nuk më erdhi mirë se thash ku do shkoj përsëri në fshat, por tani jam ambientuar. Nuk më iket më.
Alma Çupi: Nuk e do më qytetin?
Nënë Karajfilja: Jo me këtë ajër të pastër këtu nuk të vjen më për të ikur./tvklan.al