Në malin shpirtëror aty ku dielli duket sikur lind e perëndon ndryshe. Aty ku mëngjeset bëhen të paharrueshme nga pamja mahnitëse e peizazhit të gjelbëruar, në majë të malit, në një bujtinë që mirëpret njerëz nga çdo anë e vendit, mëngjeset nisin me tingujt e pianos.

Tingujt e pianos së Ujanës, emri i së cilën përkon me fshatin e saj, duket se zgjojnë gjithë banorët e fshatrave të Malit të Tomorrit. Për emrin që ka vogëlushja e bujtinës nuk fsheh krenarinë e lumturinë.

 “Ndjehem krenare sepse më duket sikur i gjithë fshati më përket mua,” tha ajo.

E pasionuar pas muzikës e pianos, Ujana tregon se ëndrra e saj nuk është të bëhet pianiste, por arkitekte. Dhe pse jo, të vazhdojë të ndjekë gjurmët e të atit, të investojë në fshatin e saj.

Alma Çupi: Po ti do që të bëhesh pianist apo do thjesht që ta kesh si “hobby”?

Ujana: Dua ta kem si “hobby”. Kushedi ndoshta mund të bëhem edhe pianist, por deri tani unë e kam mendjen për arkitekte. Dua të bëhem arkitekte kur të rritem. Sepse më pëlqen shumë që të skicoj dhe shpesh herë u ndërroj vendin mobilieve në shtëpi ose në dhomën time të gjumit.

Edhe pse e vogël Ujana ndihmon familjen e saj në bujtinë për t’u shërbyer vizitorëve vendas, por dhe shumë turistëve të huaj. Teksa me kënaqësi përshkruan zgjimin e saj në mëngjes, me peizazhin e Malit të Tomorrit dhe rrezet e diellit që përkëdhelin butësisht fytyrën e saj.

Ujana: E shikoj që nga lart malin. Mua më zgjon drita, hap mami perden dhe më bie drita në fytyrë. Zgjohem shumë e qetë, shumë e çlodhur dhe gjumi është shumë i rehatshëm. Është ajri i pastër që ta bën gjumin shumë të rehatshëm, në Tiranë mezi zgjohem në mëngjes sepse më mungon ajo drita këtu./tvklan.al