10 personat e arrestuar në kuadër të një operacioni anti-drogë që zbuloi në Shqipëri një laborator të ekstraktimit të kokainës dhe dy baza të tjera u pyetën gjatë javës nga Prokuroria e Posaçme.
Në pyetje u morën edhe 3 shtetasit e huaj; 2 nga Venezuela dhe 1 nga Kolumbia, që dyshohet se kishin roli e kimistëve në grup.
Hetuesit që pretendojne se kanë arritur të dokumentojnë përfshirjen e tyre në këtë aktivitet, nga përgjimet ambientale dhe vëzhgimet në terren, i vunë ata përballë rezultateve të hetimit.
Gjithashtu po krahasojnë përgjigjet e dhëna prej tyre për lëvizjet dhe kontaktet që kanë mbajtur me të dhënat e deritanishme.
Nga ana tjetër, SPAK është në pritje të rezultatit të ekspertimeve që po u bëhen në laboratorin e Prokurorisë telefonave dhe pajisjeve të tjera elektronike, si laptopët e sekuestruar.
Në 15 Nëntor, SPAK drejtoi një operacion ku në pranga përfunduan 10 persona, që sipas njoftimit, kishin financuar dhe më pas realizuar trafikun e kokainës nga Amerika Latine në dy raste, Shtator dhe Nëntor të këtij viti.
Lënda ishte e kamufluar në lëkurët e gjedhit, kjo e konfirmuar tashmë edhe nga ekspertiza e kryer nga SPAK, dhe do ndahej prej saj nga kimistët në laboratorin në Qerekë të Fushë-Krujës.
Tv Klan