“Që prej fillimit të vitit monedha jonë kombëtare është fuqizuar me 2.5% në raport me euron, situatë e cila është reflektuar edhe në monedhat e tjera të kursit të këmbimit. Situata pritet të mbetet e njëjtë edhe për tremujorin në vijim, periudhë e cila përkon me sezonin turistik”, raporton gazetarja e Tv Klan, Valbona Lilaj.
Eksperti i ekonomisë Ardian Civici rendit një sërë shkaqesh që kanë ndikuar në forcimin e lekut, ku kryesore mbetet fluksi i lartë i valutës së huaj që po sjellin turistët e zonës së euros.
“Numri shumë i madh i turistëve dhe pjesa dërrmuese e tyre vijnë nga zona euro. Kompani të ndryshme bëjnë transferimin e fitimeve, i kthejnë në euro dhe i çojnë në vendet e origjinës, në ato raste që ka. Do shtoja dhe një faktor tjetër që po ndikon tani, është faktori psikologjik”, thotë Civici.
Efektet që po sjell një situatë e tillë janë të përziera. Përveç ndikimit negativ tek fitimi i eksportuesve, një lek i fortë po zbut ndjeshëm inflacionin.
“Ndoshta duhet pritur dhe 2 ose 3 muaj për të parë si do strukturohet dhe sa i qëndrueshëm do të jetë ky nivel i inflacionit, për të filluar një vendimmarrje në kah të kundërt”, shton eksperti.
Referuar Bankës së Shqipërisë, këtë të martë, euro po shkëmbehet me 101.03 lekë teksa një ditë më parë preku nivelin e 100.7 lekëve, ndërkohë që agjentët e këmbimit valutor në terren e këmbejnë një euro mesatarisht me 100. 6 lekë.
Tv Klan