Presidenti i shkarkuar i Katalonjës Carles Puigdemont, është zyrtarisht një i kërkuar nga drejtësia spanjolle.
Një gjykatë në Madrid lëshoi të premten urdhër-arrestin ndërkombëtar për ish-kreun rajonal dhe 4 bashkëpunëtorët e tij që ndodhen në Bruksel. Vendimi vjen pas refuzimit të Puigdemont të paraqitej në seancën gjyqësore, ku u arrestuan e shumica e kabinetit të tij qeverisës.
Gjykatësja spanjolle Carmen Lamela u kërkoi autoriteteve belge ndalimin e Puigdemont dhe bashkëpunëtorëve të tij, për veprën penale të rebelimit, kryengritjes dhe shpërdorimit të fondeve. Fjalën tashmë e ka drejtësia belge, e cila pritet të ndalojë 5 drejtuesit katalanas, për të shqyrtuar më pas kërkesën për dorëzim në Spanjë.
Ndërkohë Carles Puigdemont lëshoi sfidën ndaj qeverisë së Madridit, duke njoftuar se është i gatshëm të rikandidojë për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Katalonjë, që do të mbahen më 21 dhjetor.
Arrestimi i zyrtarëve katalanas dhe urdhër-arresti për Puigdemont, ka provokuar zemërim të qytetarëve karshi heshtjes së Bashkimit Europian. Qindra qytetarë u mblodhën mbrëmjen e së premtes përballë institucioneve europiane në Bruksel. Ata akuzojnë Bllokun se po rri duarkryq ndaj represionit të qeverisë së shkarkuar rajonale.
Tv Klan