Rekordet janë bërë për t’u thyer dhe duket se këtë sezon, gjithçka mban vulën e Bayer Leverkusen. Kampionët e kurorëzuar të Bundesligës nuk dijnë të ndalen, teksa në fitoren ndaj Eintrakt Frankfurt shkruajtën faqe të reja në librat e historisë. Për të 48-in takim radhazi në të gjitha garat, skuadra e Shabi Alonso nuk pëson humbje.
Fakt që e vendos përkrah Benfikës legjendare të viteve ’60. Asokohe, nën drejtimin e Eusebio, gjiganti portugez nuk njohu disfatë për më shumë se 1 vit, ecuri që e vijoi mes Dhjetorit 1963 dhe Shkurtit 1965. Megjithatë, arkitekti Alonso ia ka dalë të barazojë një rekord 59-vjeçar që vështirë se mund të mendohej për t’u arritur në fillim të sezonit. Rekorde që padyshim lidhen edhe me atë që futbollistët japin në fushën e blertë.
Për herë të parë, Leverkusen ka shënuar 82 gola në Bundesligë, kuotë që Aspirinat nuk e kishin arritur kurrë më parë. Armët e forta për skuadrën gjermane janë të shumta për të gjetur rrugën e rrjetës. 11 gola kanë mbërritur nga distanca, ku shpesh ka qenë protagonist Granit Xhaka, ndërsa pika të forta janë edhe 23 golat direkt nga goditjet e lira. Efikase kanë qënë edhe minutat e fundit të lojës.
Në kampionat, Leverkusen ka realizuar plot 19 herë në çerek orëshin e fundit të sfidës duke marrë shpesh fitoren e në raste të tjera për të shmangur humbjen. Kurrë në historinë e futbollit elitar nuk ka ndodhur që një ekip ta mbyll sezonin pa humbje, ndërsa Leverkusen i ka të gjitha “akseset” për ta finalizuar, e ku do i vinte kapak tripletës madhështore.
Së bashku me Bundesligën tashmë në kasafortë, Leverkusen është në finalen e Kupës së Gjermanisë dhe shumë pranë raundit të fundit në Europa League.
Klan News