Pjesë e emisionit “Historia ime” në Tv Klan ka qenëSami Albrahimi 60 vjeç, nga Fushë-Kruja i cili ka rrëfyer se në 14 Dhjetor të vitit 2019 është aksidentuar nga një makinë dhe shoferi ishte larguar menjëherë nga vendngjarja. Policia dhe ambulanca shkuan në vendin e aksidentit dhe e fshehën si ngjarje, gjë që 60-vjeçari nuk e di arsyen pse. Ai u dërgua në urgjencën e spitalit të Fushë-Krujës, u mbajt vetëm dy orë dhe e dërguan në shtëpi pavarësisht se ishte në gjendje të keqe, kishte këmbën e majtë të thyer dhe të djathtën me fraktura.
Infermierët e kanë lënë në oborrin e shtëpisë dhe janë larguar, ndërsa Samiu ka qëndruar vetëm për 22 orë në verandë sepse gruan dhe fëmijët i kishte në Tiranë. Kur gruaja e tij ka ardhur ditën tjetër dhe e ka parë në mes të verandës, ajo është tmerruar sepse e ka parë të mbuluar me gjak dhe në gjendje të rëndë.
Mirela Milori: Sa kohë ndenje?
Samiu: I thonë ora 9 e mëngjesit dhe për të ardhur ditën e nesërme në 7 të mëngjesit.
Mirela Milori: Nga ora 9 e mëngjesit deri ditën tjetër në 7 të mëngjesit ke qëndruar në verandë?
Samiu: Po.
Mirela Milori: Pa lëvizur, pa marrë ujë?
Samiu: Pa asnjë gjë fare edhe me temperaturë 40 mund të kem qenë.
Mirela Milori: Po celular nuk kishe me vete të merrje dikë në telefon?
Samiu: Me thënë të drejtën, kam pasur celular, i binin ziles vazhdimisht mirëpo isha futur në depresion nga e gjithë ngjarja si rrodhi edhe vetë me mendjen time fillova të mendoj se në çfarë gjendje kam rënë. I bëja një pyetje vetes mirë që unë jam i keq, po këta të mirët pse bëhen më të keq sesa unë në një kohë që mjekësia në të gjithë botën është humane.
Por ngjarja nuk mbaron me kaq, kjo ishte për fshehjen e ngjarjes. Një ditë më vonë nga ora 7 e mëngjesit duke u bërë merak edhe pse nuk hapja telefonin, vjen bashkëshortja më gjen në atë gjendje, nuk i ka ngel gjë tjetër, ka shkuar tek urgjenca e Fushë-Krujës, ju ka fol atyre, ka shkuar tek policia për t’i treguar se ka ndodhur kjo ngjarje dhe ata i thanë për ne nuk ka ndodhur asnjë gjë.
Megjithatë policia detyrohet dhe merr urgjencën e Fushë-Krujës dhe me këtë rrugë vjen bashkëshortja në shtëpi, më ndihmojnë ata të urgjencës me barelë dhe më sollën drejt në spital në Tiranë, këtu tek spitali i traumës. Edhe mjekët u çuditën, pse nuk është sjellë në moment sepse mund të kishte pasoja ngjarja. Ata vendosën për të bërë ndërhyrje, faktikisht isha fukara, nuk kisha lekë.
Mirela Milori: Erdhe në një spital shtetëror, kush kërkonte lekë?
Samiu: Nuk ishte puna që kërkonin lekë ata, biles unë i falenderoj të dy mjekët.
Mirela Milori: Po për çfarë të duheshin lekët?
Samiu: Për të blerë pajisjet, hekurat që do përdoreshin. Nuk më kanë trajtuar keq, biles më kanë thënë që ne do bëjmë maksimumin. Ndenja në spital deri në 27 Dhjetor dhe më pas dola, nuk bëra ndërhyrjen sepse nuk kisha lekë. /tvklan.al