Ky është lokali në zonën e Don Boskos, aty ku të shtënat me armë zjarri lanë 1 të vrarë dhe 4 të plagosur.

Tvklan.al solli pamjet live nga vendi i ngjarjes.

Viktima është Erion Çela 35 vjeç. Ndërsa të plagosur mbetën Arben Dani 46 vjeç, i cili mori plagë në këmbë, Azbi Selimaj 19 vjeç është dëmtuar në shpatull, ndërsa Edmond Crroj 41 vjeç ka marrë plagë në këmbë dhe në bark. Ndërkohë është plagosur dhe vëllai i viktimës, Blerim Çela, i cili është dëmtuar në këmbë dhe në fytyrë.

Ngjarja e rëndë ndodhi në një lokal të zonës. Autorët hapën zjarr nga jashtë lokalit, ku qëndronin të ulur personat që ranë pre e plumbave. Pas ngjarjes, autorët u larguan me një makinë Mercedes Benz të zi, me targa AA 125 UK. Në të dyshohet se brenda kanë qenë 3 persona të armatosur të cilët janë larguar në zonën e Laprakës.

Paraprakisht dyshimet janë se gjithçka ka ndodhur pas një konflikti mes dy grupeve. Identiteti i autorëve të kësaj ngjarje tronditëse nuk dihet ende, ashtu sikurse edhe motivet e saj.