Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Marrëveshja Nano-Berisha nuk ekziston më. Ishte vetëm një eksperiment tragjik i dështuar. Ky është vlerësimi përfundimtar, i liderit të opozitës Sali Berisha dhe do të jetë këtej e tutje edhe për PD.
Kjo linjë politike është përcaktuar në mbledhjen e këshillit kombëtar ku zoti Berisha ka përdorur epitetet më negative për qeverinë Nano, duke akuzuar atë, për bllokimin e reformës zgjedhore, instalimin e mafies në postet qeveritare, thellimin e krizës ekonomike dhe energjetike në vend. Në këtë situatë, Berisha sheh si rrugën e vetme të shpëtimit të vendit, rikthimin e opozitës në pushtet.
Sali Berisha:- “Qeveria Nano dështoi, sepse ajo lindi e dështuar, sepse ajo nuk vinte nga zgjedhje të lira e të ndershme, lindi e dështuar, sepse ajo u formua, si një amalgamë e përfaqësuesve më të korruptuar, por dhe më sharlatanë të PS. Ajo lindi e dështuar, sepse u ndërtua mbi bazën e konfliktit të interesave. Fatos Nano ndërtoi kabinetin e mëkatarëve të papaenduar, kabinetin e babëzisë më të madhe në historinë e vendit. Lidhjet e krimit me anëtarët e kabinetit ishin ndër më të fuqishmet. Kryeministri Nano, iu dorëzoi atyre doganat e shtetit, kontrollin dhe çelësat e të gjitha trafiqeve, kurse Shqipëria damkoset gjithnjë e më shumë, si delja e zezë e krimit të organizuar në Ballkan. Për PD, eksperimenti për stabilitet pa legjitimitet, pa qeveri të dalë nga zgjedhje të lira e të ndershme është tragjik, absurd, i dështuar”.
Në mbledhjen e këshillit kombëtar, lideri i opozitës, nuk ka kursyer asnjë replikë publike me krybashkiakun e Tiranës Edi Rama.
Sali Berisha:- “Ne nisëm vitin me komisionin hetimor për Edvin Ramën, kryetarin socialist të bashkisë, që për shkak të komplekseve infantile dhe raptuseve që vuan dhe përjeton, i ka mbetur në fjalime gjithnjë oturaku në gojë dhe e bën këtë jo për qëllime elektorale, por se Rama, ka shndërruar Bashkinë e Tiranës, në strofullin e krimit të tij të shëmtuar ekonomik”.
Ndërkohë për herë të parë, duke folur për bashkimin e opozitës në një parti të vetme, Berisha ka deklaruar, se është i gatshëm të pranojë edhe fraksionet.
Sali Berisha:- “Ne jemi të hapur, të gatshëm, për krijimin, për themelimin e një force politike të vetme, të re, të bazuar në të gjitha rregullat demokratike të themelimit të një force demokratike, deri dhe pranimin e fraksioneve për të gjithë ata, që do të jenë të aftë të krijojnë fraksione nga baza në qendër”.
Berisha ka paralajmëruar ndërmarrjen e një veprimtarie intensive brenda dhe jashtë vendit, për denoncimin e qeverisë Nano, si bllokues e reformave në vend dhe si ideuese e manipulimit të procesit të ardhshëm zgjedhor nëpërmjet ndarjes së re administrative të vendit. Lideri i opozitës, i ka bërë thirrje, ndërkohë të gjithë drejtuesve dhe përkrahësve të opozitës, të fillojnë punën me çdo qytetarë shqiptarë, për t’i bindur ata se PD dhe aleatët e saj, janë alternativa e vetme e besueshme për nxjerrjen e vendit nga kriza./tvklan.al
Gazetare – Elona Meço