Emisioni “Histori Shqiptare” në Tv Klan ka shkuar në Libofshë ku po ndjek nga afër sesi 250 hektarë tokë punohen për t’u përdorur nga ferma “Fshatçe”. Produktet e saj i njohim të gjithë e një pjesë e mirë i kanë konsumuar, por këtë herë do të mësojmë më shumë për atë që ndodh brenda ambienteve të fermës.
“Fshatçe” ka një cikël të mbyllur pasi gjithçka me të cilën furnizohet ferma prodhohet si lëndë e parë prej saj. Gjithçka funksionon zinxhir dhe për këtë ndihmon teknologjia e cila ka gjetur vend edhe te 1100 lopët e fermës.
Alma Çupi ndodhet në stallën e tyre ku shihet që secila kafshë ka një varëse në qafë. Në të vërtetë, varësja është një çip që monitoron të gjitha të dhënat shëndetësore të lopës.
Alma Çupi: E shikoni varësen e lopës? Në fakt nuk është varëse, është një çip. Aty regjistrohen të gjitha të dhënat, gjendja emocionale, sa ushqim ka ngrënë, si është gjendja shëndetësore dhe të dhënat kalohen në një kompjuter dhe mjafton të shkruhet numri dhe kjo është pasaporta më e mirë për çdo lopë. Është një risi, kemi të bëjmë me një fermë dhe një ndërmarrje, të vetmen në Ballkan të këtyre përmasave dhe të kësaj teknologjie dhe kjo nga ana tjetër lehtëson edhe punën e veterinerëve sepse mjafton të shkruhet numri, këto nuk kanë emra se janë shumë lopë dhe del çdo e dhënë shëndetësore për secilën prej tyre. Pse bëhet kjo? Natyrisht për të pasur qumështin më cilësor dhe të sigurt për konsumatorin.
Jo vetëm kaq, por lopët kanë edhe një trajtim që siguron shëndetin dhe cilësinë e qumështit.
Alma Çupi: Janë të qeta, janë shumë të qeta sepse në këtë ambient që ju shikoni lopët kanë mundësi të bëjnë dush në mënyrë automatike, hapet uji, kanë kondicioner, janë këto freskueset, nëse temperatura e ambientit ngrohet, direkt freskueset në mënyrë automatike vazhdojnë punën, bëjnë edhe masazh, kanë vendin ku flenë, kanë vendin ku hanë, janë të mirëtrajtuara./tvklan.al