Prezantohet logoja e re e “Rithemelimit”, LSI dhe PDK
Pas prezantimit të emrit të koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, Komisioni i Rithemelimit në Partinë Demokratike ka zyrtarizuar marrëveshjen me Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe Partinë Demokristiane të Nard Ndokës.
Drejtues politik i koalicionit është Komisioni i Rithemelimit, ndërsa partia udhëheqëse e tij do të jetë Lëvizja Socialiste për Integrim.
Menjëherë pas zyrtarizimit të marrëveshjes dhe publikimit të siglës së koalicionit, u bë edhe kërkesa për regjistrim në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve nga ana e LSI-së.
Me shumë gjasa, sikundër ndodhi edhe më herët me përfaqësuesit ligjor, KQZ-ja nuk do të njohë Komisionin e Rithemelimit, duke lënë si pjesë të koalicionit vetëm LSI-në dhe PDK-në përzgjedhjet e pjesshme vendore.
Por zyrtarizimi i koalicionit “Shtëpia e Lirisë” ka sjellë edhe reagimin e Partisë Demokratike. Përmes një njoftimi për shtyp, selia blu thotë se u zyrtarizua partia e vjetër Meta-Berisha-Rama. Sipas Lulzim Bashës, ky koalicion ka për qëllim të dëmtojë Partinë Demokratike dhe demokratët dhe të bëhet strehë mbrojtëse për Metën e Berishën.
Në mesin e debatit brenda opozitës ka ndërhyrë edhe ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, e cila thotë se “Partia Demokratike ka shansin historik të shpëtojë përgjithnjë nga Sali Nongrata, por Lulzim Basha nuk ka asnjë shans praktik ta shpëtojë veten duke shkelmuar Saliun, pasi Luli me Saliun janë babë e bir, bashkëfajtorë dhe bashkëpërfitues”.
Sipas saj, “ata janë e shkuara, nga e cila Shqipëria ka shpëtuar dhe tani edhe PD ka mundësinë të shpëtojë, duke u vënë shkelmin të dyve”.
Tv Klan