Ambasadori amerikan, Donald Lu, e ka mirëpritur lënien e mandatit të deputetit nga ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri për t’u hetuar pa mburojë e imunitetit.
“
Hetimet po vazhdojnë ndaj Saimir Tahirit dhe (ish-kryeprokuroririt) Adriatik Llallës. Askush nuk është mbi ligjin! Mirëpresim faktin që Tahiri do të përballet me drejtësinë si qytetar i zakonshëm, pa imunitet
”, tha Lu të premten gjatë një aktiviteti.
Ai përmendi emrin e Tahirit në një listë të gjatë zyrtaresh, ish –zyrtarësh e trafikantësh të rrezikshëm nën hetim, teksa i bëri thirrje shoqërisë civile që të vazhdojë të kontribuoje për të treguar dëmet që ata i bëjnë shoqërisë.
Ambasadori beson se presioni i shoqërisë civile la jashtë parlamentit dhe bashkive deputetët dhe kryebashkiakët që prekeshin nga ligji i dekriminalizimit apo që u përfshinë në afera korruptive.
Komentet e ambasadorit Lu vijnë një ditë pasi ish –ministri i Brendshëm lëshoi kritika ndaj disa diplomateve të huaj në Shqipëri, pa i përmendur me emra, duke thënë se disa janë të blerë, e disa marrin përsipër të bëjnë prokurorin e gjyqtarin apo që flasin lart e poshtë për mafiozë e banda shqiptare.
Tv Klan