Kryeministri polak Donald Tusk bëri këtë të premte një paralajmërim të drejtpërdrejtë se Europa ka hyrë në “një epokë para lufte” dhe nëse Ukraina mposhtet nga Rusia, askush në Europë nuk do të jetë në gjendje të ndihet i sigurt.“Nuk dua të frikësoj askënd, por lufta nuk është më një koncept nga e kaluara”, tha ai për mediat europiane, duke shtuar: “Është reale dhe ka nisur mbi 2 vjet më parë”.
Komentet e Tusk vijnë teksa Ukraina u sulmua nga një breshëri raketash nga Rusia. Përgjatë natës të së premtes, Forca Ajrore ukrainase tha se kishte goditur 58 dronë dhe 26 raketa, ndërsa kryeministri Denys Shmyhal tha se infrastruktura ishte dëmtuar në 6 rajone, në perëndim, qendër dhe lindje të vendit. Kompania kombëtare e energjisë në Ukrainë njoftoi mungesë totale të energjisë në tre rajone të vendit, Dnipropetrovsk, Zaporizhzhia dhe Kirovograd dhe u bëri thirrje qytetarëve që të limitojnë konsumin e energjisë elektrike. Shpërndarësi, Ukrenergo, fajësoi sulmin masiv rus në termocentrale gjatë natës.
Tusk, ish-president i Këshillit Europian, tha se presidenti rus Vladimir Putin ka fajësuar Ukrainën për sulmin xhihadist në Moskë pa asnjë provë dhe është e dukshme që ndjen nevojën për të justifikuar sulmet gjithnjë e më të dhunshme drejt civilëve në Ukrainë. Ai vuri në dukje se Rusia e kishte sulmuar Kievin me raketa hipersonike për herë të parë gjatë ditës, më herët gjatë kësaj jave.
Tusk bëri një apel të drejtpërdrejtë për liderët e Europës që të bëjnë më shumë për të forcuar mbrojtjen e tyre. Pavarësisht nëse zgjedhjet presidenciale të Nëntorit në SHBA i fiton Joe Biden spo Donald Trump, ai nënvizoi se Europa do të bëhet një partner më tërheqës për SHBA nëse bëhet më e fortë ushtarakisht. Kjo nuk është hera e parë që Tusk paralajmëron për një epokë para lufte. Edhe më herët gjatë këtij muaji ai dha të njëjtin mesazh për liderët europianë të qendrës së djathtë.
Megjithatë ai zbuloi se kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, u kishte kërkuar liderëve europianë që të mos e përdornin fjalën “luftë” në deklaratat e tyre të samitit, sepse njerëzit nuk donin të ndiheshin të kërcënuar. Tusk tha se iu përgjigj se në anën e tij të Europës, lufta nuk ishte më një ide abstrakte.
Duke bërë apel për ndihmë urgjente ushtarake për Ukrainën, ai paralajmëroi se dy vitet e ardhshme të luftës do të jenë vendimtare: “Po jetojmë në momentin më kritik që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore”. “Ajo që është më shqetësuese për momentin është se çdo skenar është i mundshëm”, tha Tusk./tvklan.al