Shqipëria ka shpenzimet shëndetësore për frymë më të ulëtat në rajon dhe Europë.
Një raport i OECD-së që bazohet në të dhënat e vitit 2022, e rendit vendin tonë të fundit me një nivel shpenzimesh shëndetësore 734 Euro për frymë.
Për eksperten e çështjeve të shëndetësisë, Eglantina Bardhi, kjo situatë është reflektim i një buxheti të ulët në këtë sektor.
Eglantina Bardhi: Ne prej 15 vitesh kemi ngritur zërin, kemi raportuar një buxhet të pamjaftueshëm dhe të ulët per sektorin e shëndetësisë. Ne kemi një buxhet më pak se 3% të GDP-së.
Keqfinancimi i sektorit të shëndetësisë për Bardhin sjell pasoja të drejtpërdrejta tek pacientët.
Eglantina Bardhi: Ka pamjaftueshmëri fondesh per t’u trajtuar sipas protokolleve. Pacientët janë të detyruar të paguajnë nga xhepi i tyre për të patur shërbime më cilësore.
Që shërbimi ndaj qytetarëve të përmirësohet, kërkohet të paktën dyfishim i buxhetit.
Eglantina Bardhi: Që të plotësohet një paketë bazë, duhet të jetë dy herë më shumë, tre.
Për vitin 2025, buxheti për Ministrinë e Shëndetësisë së bashku me atë të mbrojtjes sociale është rritur me 5% duke shkuar në 103 miliardë e 375 milionë Lekësh, 12.57% e buxhetit ose 3.94% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Tv Klan