Presidenti amerikan Donald Trump pezullon për një muaj tarifat ndaj Meksikës. Lajmi është bërë i ditur edhe nga Presidentja meksikane Sheinbaum, që specifikon ndër të tjera se do të angazhohen 10 mijë trupa ushtarake në kufirin me SHBA, për të evituar fluksin migrator.

Ndërkohë, nga ana tjetër Provinca e Ontarios, në Kanadanë e Justin Traudeau, ka pezulluar një kontratë me vlerë 68 milionë Dollarë me Starlink, mbi shërbimin internet satelitor nën kontrollin e Elon Musk.

Ndaj luftës së sanksioneve të shpallur nga Trump, ka reaguar edhe BE, me 27 liderët e vendeve anëtare që u mblodhën në Bruksel në një samit informal me temë kryesore forcimi i politikave të mbrojtjes evropiane dhe pavarësisht se jo e parashikuar ne axhendë, tema e sanksioneve nga administrata e re amerikane.

Pas kancelarit gjerman Scholz dhe deklaratës së tij të fortë, që sanksioneve amerikane do i kundërpergjigjemi në të njëjtën mënyre, po me sanksione, ka reaguar edhe kreu i Elizëse, i cili thekson se BE duhet të reagojë dhe të vleresohet e respektohet.

Ndërsa kreu i qeverisë polake, Donald Tusk gjatë samitit të sotëm ka theksuar se lufta e sanksioneve është pa fitues, por duhet menduar një zgjidhje e volitshme. Edhe Kremlini ka reaguar në lidhje me sanksionet amerikane, dhe Dimtiri Peskov bën të ditur se Rusia nuk dëshiron aspak të jetë e përfshirë në luftën e tyre, dhe as të japë mendim për këtë argument.

Ndërsa Kina, sipas burimeve për WSJ, do përpiqet të propozojë të rikthehet me Trump tek marrëveshja tregtare e arritur me shumë vështiresi në vitin 2020 gjatë mandatit të tij të parë.

Klan News