Kryetari i Partisë Demokratike ka denoncuar, sipas tij, një tjetër aferë korruptive me inceneratorët.
Në një konferencë për shtyp me gazetarët, Basha ka deklaruar se kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, refuzon që të firmosë një kontratë që përfshin inceneratorin e Durrësit dhe atë të Tiranës.
Për këtë arsye, shpjegoi kryedemokrati, po përgatitet skenari që deputetja e Partisë Socialiste Milva Ekonomi të japë dorëheqjen si ligjvënëse dhe të komandohet zv/kryetare e Bashkisë së Durrësit.
“Për inceneratorët po bëhet gati ta shkarkojë për herë të pestë apo të gjashtë kryetarin e Bashkisë së Durrësit. Se nuk pranon që s’ia dimë emrin se s’kemi si t’ia dimë emrin se i ndërrojnë më shpesh se sa shefat e Kadastrës së Vlorës, nuk pranon të firmosë një aferë qindra milionëshe për të çuar lekë tek inceneratori i Tiranës. Dhe po bëjnë gati Milva Ekonomin që të japë dorëheqjen nga deputete, e të komandohet atje që të firmosi shkresën e të vjedhin paratë prapë me inceneratorët. Këtu e ka mendjen ai, mos kujtoni se e ka mendjen diku tjetër. Ky është plani. A do ta ndryshojë pas denoncimit që i bëra unë apo jo, mbetet për t’u parë. Plani është: Milva Ekonomi të japë dorëheqjen nga deputete, të komandohet nënkryetare, të iki kjo nënkryetarja e 3, e 4 apo e 5-të atje dhe të firmosi shkresën për të çuar të paktën 100 milionë incenerarorëve”. /tvklan.al