Rusia shpall gjendjen e jashtëzakonshme, banorët në alarm për ndotjen
20 mijë tonë naftë janë derdhur aksidentalisht në një zonë të Siberisë duke shkaktuar një dëm të madh në ekosistem. Për këtë arsye Presidenti i Rusisë Vladimir Putin ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Ngjarja ka ndodhur në datën 29 Maj, por informacionet në Kremlin kanë shkuar më vonesë.
Kanë qenë qytetarët që kanë raportuar një gjë të tillë, të cilët të indinjuar kanë akuzuar autoritetet për shkatërrim të mjedisit.
“Çfarë mendoni se ndodhi që zyrtarët u desh ta mësonin ngjarjen vetëm dy ditë më pas? A mos duhet t’i mësojmë situatat e emergjencës nga rrjetet sociale tani? A jeni mirë me shëndet ju andej?”, shkruanin qytetarët në Instagram.
Derdhja e naftës ndodhi kur një rezervuar karburanti në një termocentral pranë qytetit siberian Norilsk u dëmtua të premten e kaluar. Fabrika është në pronësi të kompanisë Norilsk Nickel, i cili është prodhuesi kryesor i nikelit dhe palladiumit në botë.
Në një konferencë me video Putin akuzoi kreun e kësaj kompanie për shkatërrim të mjedisit dhe autoritetet se pse ai ishte vënë në dijeni për këtë ngjarje të rëndë rreth dy ditë më vonë.
Sipas mediave shtetërore 15 mijë tonë produkte nafte janë derdhur në lumë dhe 6 mijë tonë kanë depërtuar nën tokë. Agjencia e peshkimit ka deklaruar se dëmet në lumë janë shumë të mëdha dhe se do të duhen vite të tëra që të rikuperohet. Incidenti ka ndotur një sipërfaqe prej 350 kilometrash katrorë.
Putin ka urdhëruar një hetim mbi aksidentin dhe ka dërguar forca shtesë në zonë për të ndihmuar në operacionin e pastrimit. Ndërkaq një person që merret me menaxhimin e kompanisë së naftës është ndaluar nga forcat e policisë. Qyteti i Norilskit në Siberi konsiderohet një nga qendrat me ndotjen më të lartë.
Klan Plus