Kur përmend repin në trojet shqipfolëse, nuk mund të të mos shkojë mendja në grupin PINT ose ndryshe “Për Inat T’Njoni Tjetrit”. E njëri prej themeluesve, tekstshkruesve dhe reperëve më të mirë të grupit e gjithashtu një artist në kuptimin e plotë të fjalës, iu bashkua sot pasdites së Tv Klan në emisionin “Rudina”.
Në një lidhje Skype, Lyrical Son ose ndryshe Festim Arifi, emri pas të cilit qëndrojnë dhjetëra hite e suksese, tregon se së shpejti do të kemi një album tjetër.
Lyrical Son: Faleminderit shumë për ftesën dhe faleminderit për gjithë fjalët më herët. Më pëlqen Festimi që e prezantuat dhe më vjen shumë keq, ju kërkoj falje publikisht që nuk po mundem të vij këto ditë në Tiranë pasi momentalisht kemi edhe fillimet e punëve të reja në studio. Po punojmë për albumin me Mc Kreshën, jemi gati në mes të punës, nuk jemi as në fillim as në fund.
Rudina Magjistari: Je i frymëzuar këtë periudhë apo jo?
Lyrical Son: Po, po faleminderit Zotit pas sezonit që patëm në verë ishte një pushim i merituar sepse ishte një verë shumë e ngarkuar dhe ishim shumë aktivë. Bëmë një pushim sa mundëm të bënim dhe tani jemi kthyer në studio e po punojmë, është një energji shumë pozitive. Djemtë janë të frymëzuar, unë e Kresha jemi gati.
Rudina Magjistari: Si të të thërras në këtë intervistë, Lyrical Son apo Festim?
Lyrical Son: Nuk është se nuk jam krenar me emrin tim, por po të kthehesha do ia kisha ndërruar vetes për shkak të vendit ku jetojmë dhe mënyrës se si theksohet apo shqiptohet emri im. Fjalën e kam për pseudonimin, për Lyrical Son. Madje edhe në tekste më parë e kam cekur që e kam pasur problem të ma përmendnin emrin. Dikur madje ma lanë emrin Lorik Asllani duke menduar që Lyrical Son ishte Lorik Asllani, jam Festimi dhe kam qejf të më thërrasin Festim, me emrin që më ka lënë mami.
Siç dihet tashmë, pseudonimi Lyrical Son ka ardhur si frymëzim nga një profesor që Festimi e donte dhe respektonte shumë, ndaj vendosi ta përdorte në botën e artit./tvklan.al