Prej ditësh në Itali flitet shumë për të ardhmen e trajnerit të Juventusit, Thiago Motta. Tekniku bardhezi rrezikon shkarkimin, për mungesë rezultatesh.
Megjithatë, vetë Motta thotë se ka besimin e plotë të klubit. Në konferencën për shtyp, para ndeshjes me Fiorentinën, trajneri i torinezëve tha se më e rëndësishme është sfida në kampionat sesa e ardhmja e tij.
“Mendoj vetëm për ndeshjen me Fiorentinën. Kam besimin e plotë të klubit dhe e vlerësoj mbështetjen e pronarëve gjatë kësaj jave. Prioritet nuk është e ardhmja ime, por ndeshja e nesërme. Duhet të bëjmë një paraqitje të mirë.
Në profesionin tonë trajneri është gjithmonë nën presion dhe kjo është e drejtë. Unë jam i pari që vë në dyshim dhe analizoj punën time çdo ditë, kur gjërat nuk shkojnë si duhet. Gjëja më e vështirë, por edhe më e rëndësishme është të qëndrojmë të qetë për të vlerësuar objektivisht situatën tonë.
Të përballesh me Fiorentinën, është gjithnjë e vështirë. Pres Fiorentinën më të mirë të mundshme. Shumë herë i kemi fituar ndeshjet e rëndësishme. Nesër do të provojmë të bëjmë të njëjtën gjë”, deklaroi Motta.
Ndeshja Fiorentina-Juventus, do të luhet ditën e Diel, duke nisur nga ora 18:00. /tvklan.al