Rritja e numrit të të infektuarve, sjell masa të reja shtrënguese
Ndryshe nga Shqipëria pas Kosovës, Mali i Zi ka vendosur të rimbyllë plotësisht hotelet, restorantet dhe klubet e natës. Pas orës 22:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit është ndalur edhe qarkullimi i njerëzve. Mali i Zi e ka marrë vendimin që të rikthejë masat shtrënguese për shkak të rritjes së numrit të viktimave dhe të të infektuarve me Covid-19.
Kjo është pamja në Podgoricë, Kotor, Nikshiq, Berane, Andrijevicë dhe Rozhajë, qytetet me numrin më të lartë të të prekurve me koronavirus.
Duke folur për fillimin e shkollës, Zv/Drejtori i Institutit Shëndetësor Publik, malazez Senad Begić tha se në komunat ku nuk ka një numër të madh të pacientëve, nuk ka asnjë arsye që shkollat të mos fillojnë. Vetëm në orët e fundit Mali i Zi raportoi 116 persona të prekur me Covid-19. Aktualisht ky vend ka 3699 raste aktive me Covid-19, ndërsa ka shënuar në total 158 viktima.
Autoritetet malazeze presin që në 10 deri në 14 ditët e ardhshme të kenë ulje të rasteve nga këto masa kufizuese. Më 25 Maj, Kryeministri dhe Ministri i Shëndetësisë në Podgoricë, deklaronin në mënyrë triumfale se Mali i Zi ishte shteti i parë në Evropë, i cili kishte arritur ta çrrënjoste koronavirusin dhe hapi dyert për turistët.
Shteti me 620 mijë banorë, i varur kryesisht nga turizmi, kishte mbyllur kufijtë, aeroportet e shkollat në muajin Mars. Për të parandaluar përhapjen e Covid-19, Mali i Zi publikoi edhe listën me emrat dhe adresat e personave në vetëizolim, gjë që nxiti kritika nga grupe për të drejtat e njeriut dhe mbajti të izoluar një rajon të tërë për disa javë.
Rikthimi i masave shtrënguese dhe shtimi i të infektuarve me Covid-19, këto orët e fundit në Malin e Zi, u dha të drejte skeptikëve që kishin vënë në dyshim fitoren, duke thënë se infeksionet e mundshme mund të jenë të heshtura për shkak të numrit të pamjaftueshëm të testimeve.
Klan Plus