Sot në emisionin “Historia ime” në Tv Klan është trajtuar një temë mjaft shqetësuese që prek fëmijët dhe prindërit. Bëhet fjalë për abuzimin seksual online tek fëmijët. Shfrytëzimit ndaj fëmijëve fatkeqësisht duket se është më i përhapur se të dhënat dhe informacionet publike të institucioneve. Me ndihmën e UNICEF-it në studio janë rrëfyer 3 histori të dhimbshme të 3 vajzave duke ruajtur anonimatin e tyre.
Mirela Milori: Për ta sjellë më afër se çfarë ndodh ne do të ndjekim disa inserte të shkurta të tre rrëfimeve. Kemi kërkuar në fakt të kishim rrëfime të fëmijëve, binte ndesh me ligjin, nuk na lejohej qoftë me fytyrë të mbuluar me anonimat shkeleshin të drejtat e tyre, falenderoj UNICEF-in që ka bashkëpunuar me ne dhe na ka dhënë tre inserte të shkurtra për atë që vërtet ndodh, i ndjekim:
“Isha 7 vjeç kur një i afërm më dhunoi seksualisht. Megjithëse kam kaluar një fëmijëri të qetë, tani që duhet të krijoj një familje, kam frikë dhe nuk gjej guxim të njihem me djemtë. Kam frikë nga paragjykimi i tyre dhe i shoqërisë”.
“Isha 8 vjeç kur mamaja më dërgoi në kryeqytet tek xhaxhai për një të ardhme më të mirë. Ajo nuk do ta marrë vesh kurrë që e ardhmja që më priste ishte të vishesha si grua për të kënaqur burrat. Xhaxhain e arrestuan, por fëmijëria ime u rrënua përgjithmonë”.
“Isha 13 vjeç kur mamaja më detyroi të martohesha me një djalë pak më të madh se unë. Më pas një bandë më rrëmbeu dhe më shfrytëzoi seksualisht. Edhe pse policia u njoftua, nuk u mor asnjë masë kundër tyre. Kur mbeta shtatzënë, mamaja vendosi të më martonte me një burrë 40 vjeç i cili më çoi në Gjermani, ku vazhdova të shfrytëzohesha seksualisht”. /tvklan.al