Shqipëria U-19 për vajza tregoi një formë të jashtëzakonshme dhe të shkëlqyer ndaj moshatareve të Azerbajxhanit.
Vajzat kuqezi, triumfuan me shifrat e thella 4-0, në sfidën e vlefshme për raundin e dytë të Kampionatit Europian U-19. Dopietat e shënuara nga Xhesika Ndoj dhe Rosela Vasa, i dhanë fitoren skuadrës kuqezi, të drejtuar nga trajnerja Luçije Gjini.
Kombëtarja shqiptare dominoi që nga fillimi i takimit, duke krijuar raste të shumta shënimi. Avantazhi erdhi në minutën e 22-të me një gol të kapitenes Xhesika Ndoj, ndërsa skuadra kontrolloi lojën deri në fund të pjesës së parë.
Në pjesën e dytë, Shqipëria e nisi furishëm dhe Ndoj realizoi golin e dytë në minutën e 47-të. Vajzat e drejtuara nga Gjini vijuan me ritëm të lartë, ndërsa Rosela Vasa shënoi dy herë radhazi, në minutat 56 dhe 69, duke vulosur rezultatin përfundimtar 4-0. Një fitore mëse e merituar për Kombëtaren U-19, e cila tregoi karakter dhe vendosmëri në këtë sfidë.
Shqipëria U-19 do të zhvillojë ndeshjen e tretë dhe të fundit të këtij raundi më 24 Shkurt ndaj Irlandës së Veriut. Takimi do të luhet në stadiumin ‘Egnatia Arena’ në orën 14:30 dhe hyrja do të jetë falas. /tvklan.al