Rreth 473 milionë, ose më shumë se 1 në 6 fëmijë, vlerësohet se jetojnë në zona konflikti në mbarë botën, sipas UNICEF.

Raporti vjen teksa konfliktet po përhapen në mbarë botën sidomos në Gaza dhe Ukrainë.

Viti 2024 ka qenë një nga vitet më të këqija të regjistruara për fëmijët në konflikt në historinë e UNICEF -it  për sa i përket numrit të fëmijëve të prekur”, tha Drejtoresha Ekzekutive Catherine Russell.

Sipas saj, një fëmijë që rritet në një zonë konflikti ka shumë më tepër gjasa të mbetet i paarsimuar, i kequshqyer ose i detyruar të largohet nga shtëpia e tij në krahasim me një fëmijë që jeton në vende që nuk janë në konflikt.

Përqindja e fëmijëve që jetojnë në zonat e konfliktit është dyfishuar nga rreth 10 përqind që ishte në vitet 1990 në pothuajse 19 përqind sot, thuhet në raportin e UNICEF.

Bota po dështon të marrë masa për këta fëmijë. Ndërsa shkojmë drejt vitit 2025, ne duhet të bëjmë më shumë për të shpëtuar dhe përmirësuar jetën e fëmijëve”, tha Russell.

Sipas raportit, mbi 47 milionë fëmijë u zhvendosën për shkak të konfliktit dhe dhunës deri në fund të vitit 2023.

Gjithashtu tendencat për vitin 2024 tregojnë një rritje të mëtejshme të zhvendosjes për shkak se konfliktet e ndryshme janë intensifikuar, duke përfshirë në Haiti, Liban, Mianmar, territoret palestineze dhe Sudan.

Rreth 96 përqind e grave dhe fëmijëve në Gaza nuk mund të plotësojnë nevojat e tyre bazë ushqimore, kjo për shkak se furnizimet janë ndalur në Rripin e Gazës.

Për ekspertët çdo përpjekje e vogël për të shpëtuar jetën e një fëmije në Gaza zhbëhet nga bombardimet e njëpasnjëshme.

Klan News