Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka inspektuar punimet në Pediatrinë e re të QSUT e cila pritet të fillojë punën në fillim të muajit janar të vitit që vjen.

“Në pediatrinë e re të QSUT përmblidhen shërbime esenciale për spitalin pediatrik, siç është shërbimi i urgjencës, ai i reanimacionit dhe ai i kirurgjisë infantile. Kemi vendosur një afat tashmë për të filluar punën në këtë strukturë të re që është fundi dhjetorit, fillimi i janarit. Jemi duke bërë gjithë planin e masave në mënyrë që transferimi të jetë një proces sa më i sigurt dhe të garantojë të gjithë ato parametra dhe kushte të sigurisë që i duhen mjekëve tanë për të transferuar shërbimet në këtë godinë të re”, tha Manastirliu.

Gjatë inspektimit të Pediatrisë, Manastirliu tha investimi transformues për pediatrinë do të vijojë, për të ofruar shërbime shëndetësore sa më miqësore për fëmijët.

“Tashmë hapet edhe faza e dytë e investimit, përsa i përket rehabilitimit tërësor të godinës ekzistuese të Pediatrisë së Përgjithshme. Ndërkohë që jemi duke finalizuar dhe rehabilitimin e Pediatrisë Infektive. Janë këto projekte të cilat patjetër na mbushin me shpresë që ne do të zhvillojmë akoma më shumë shërbime cilësore dhe të dedikuara për fëmijët, por në infrastrukturë me të vërtetë miqësore për ta”, tha Manastirliu.

Duke garantuar se investimet në QSUT nuk do të ndalen, Manastirliu tha:

“Në vijim ne jemi duke punuar fort gjithashtu edhe për të përfunduar gjatë vitit 2022 projektin për përfundimin e spitalit të ri 6-katësh apo Spitalit të Sëmundjeve Interne, i cili përfundon në vitin e ardhshëm. Spitali Infektiv është një tjetër investim i rëndësishëm i cili fillon në vitin që vjen, në fillim të muajit janar dhe ku brenda 6 muajve ne synojmë që jo vetëm të rehabilitojmë këtë spital por nga ana tjetër të rrisim kapacitetet e terapisë intensive duke siguruar që me të vërtetë ky spital të bëhet një qendër moderne e sëmundjeve infektive. Projektet për QSUT nuk do të mbarojnë këtu, sepse shumë shpejt me një tjetër financim të Bankës Botërore që qeveria shqiptare siguron që të fillojnë investimet edhe për spitalin e kardiokirugjisë, si një spital tjetër i cili është pjesë e projektit tonë për modernizimin e QSUT dhe gjithashtu spitalin e djegie-plastikës”

Prof. Albana Fico, Drejtoresha e QSUT tha se këto investime do të bëjnë të mundur ofrimin e shërbimeve akoma më cilësore./tvklan.al