Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu i shprehu ngushëllimet familjarëve të pacientit të dytë që humbi jetën për shkak të koronavirusit. Ajo tha se mjekët bënë të pamundurën për shpëtimin e jetës së 66-vjeçarit, por fatkeqësisht ai ndërroi jetë për shkak të komplikacioneve. Megjithatë, në 24 orët e fundit ministrja tha se kemi pasur edhe lajme shpresdhënëse.

“27 mjekët e testuar për COVID-19 në spitalin e Fierit kanë rezultuar të gjithë negativ”, tha ministrja.

Ajo u shpreh se qeveria po bën të gjitha përpjekjet për të siguruar stokun e nevojshëm të materialeve mbrojtëse për të gjithë personelin mjekëro.

“Brenda javës presim dërgesën tjetër”, tha ministrja, ku shtoi se po punohet për të shtuar numrin e respiratorëve në strukturën e reaminacionit.

“Po punojmë për shtimin e respiratorëve. Është dyfishuar kapaciteti i respiratorëve në spitalin Infektiv në QSUT”, tha Manastirliu.

Një tjetër lajm pozitiv është testi që ka rezultuar negativ për kontaktin me pacientin zero.

“Sipas protokollit pacientit do t’i bëhet edhe testi i radhës për të konfirmuar mungesën e COVID në trupin e tij”, tha ministrja.

Ajo shtoi se ISHP-ja po bën maksimumin për gjurmimin e kontakteve dhe kryerjen e testimeve sipas udhëzimeve të OBSH.

Ajo u shpreh se departamenti i virologjisë është furnizuar me një sasi tjetër të kiteve shtesë. Ministrja theksoi se së shpejti testi do të kryhet edhe në QSUT.

“Po kryejmë testime aq sa kërkojnë ekspertët e shëndetit publik për dyshimet klinike, epidemiologjike dhe dyshimin e kontakteve për ndërprerjen e zinxhirit të infeksionit”, tha Manastirliu./tvklan.al