Forca Ajrore ka reaguar pas akuzave të PD-së drejt ministres Olta Xhaçka për përdorimin e helikopterit të ushtrisë. FA thotë se është e papranueshme përbaltja që bëhet me informacione të pasakta nga selia blu.
“Në rastin konkret, në funksion të detyrimit të saj ligjor për transparencë e për të informuar qytetarët, të cilët me të drejtë meritojnë të dinë të vërtetën rreth këtyre akuzave, deklarojmë me përgjegjësi të plotë që informacioni i përcjellë në media nga subjekti politik është i pasaktë, qoftë përsa i përket datave të fluturimeve, qoftë përsa i përket destinacioneve, qoftë përsa i përket arsyeve e qoftë përsa i përket personave që kanë udhëtuar në bordin e mjeteve të Forcës Ajrore”.
FA deklaron se në drejtim të Dibrës gjatë muajve të fundit janë kryer vetëm 9 fluturime dhe jo 22 siç pretendon Partia Demokratike. Sipas FA-së 4 prej udhëtimeve kanë qenë për emergjenca mjekësore ajrore. Gjithsej gjatë muajve të fundit Forca Ajrore thotë se janë kryer 338 fluturime.
“Në përputhje me misionin dhe detyrat e Forcës Ajrore, gjatë muajve të fundit janë kryer 338 fluturime. Nga të cilat vetëm 9 kanë pasur si destinacion qarkun e Dibrës. E përsërisim, vetëm 9 dhe jo 22, siç pretendon subjekti politik, nga të cilat, 4 kanë qenë për emergjenca mjekësore ajrore dhe pjesa tjetër emergjenca civile dhe trajnim rutinë i pilotëve të Forces Ajrore. 329 fluturime të tjera kanë pasur si destinacion Kukësin, Tropojën, Shkodrën, Lezhën, Mirditën, Elbasanin, Kucovën, Beratin, Korçën, Gjirokastrën, Vlorën, Sarandën, Fierin dhe Tiranën”.
Sipas FA-së, Xhaçka e ka përdorur helikopterin vetëm 4 herë në 1 vit për të udhëtuar drejt qarqeve Shkodër, Dibër dhe Gjirokastër, ku ndodhen detashmentet rajonale te mbrojtjes së Forcave të Armatosura.
“Theksojmë se përgjatë gjithë vitit 2020, Ministrja e Mbrojtjes, edhe pse ligji i njeh të drejtën e plotë të përdorë mjetet e Forcës Ajrore në çdo kohë e për çdo detyrë, e ka përdorur këtë të drejtë ligjore vetëm 4 herë në një vit, për të udhëtuar drejt qarqeve Shkodër, Dibër dhe Gjirokastër, qarqe ku ndodhen edhe detashmentet rajonale te mbrojtjes së Forcave të Armatosura. Këto 338 fluturime përbëjnë vetëm 22% të planit vjetor dhe të zërit buxhetor të parashikuar për fluturimet stërvitore! Nëse do të përdornim matematikën e subjektit politik, për vetëm 338 fluturimet që janë kryer, vlera financiare do të kishte qenë plot 15 herë më e madhe se sa i tërë buxheti vjetor i FAj për zërin fluturime stërvitore, i cili aktualisht është 78% i parealizuar. Forca Ajrore jo vetëm nuk ka shpërdoruar fondet dhe njerëzit e saj për arsye politike por në kushtet e një viti të vështirë si pasojë e pandemisë, ka treguar përgjegjshmëri kundrejt qytetarëve duke përdorur me shumë kujdes e pa asnjë abuzim kapacitetet e saj njerëzore dhe financiare”. /tvklan.al