Presidenti Donald Trump ka dekoruar me Medaljen e Sigurisë Kombëtare Richard Grenellin për përpjekjet e tij për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. I dërguari i posaçëm i Trump për dialogun Kosovë-Serbi e ka bërë të ditur këtë gjë nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.

“Është një nder shumë i madh, veçanërisht pasi erdhi nga Presidenti Trump, i cili e ka përdorur diplomacinë për të sjellë paqe në botë. Ai nuk ka filluar luftëra të reja, solli në shtëpi trupat amerikane, rindërtoi ushtrinë dhe vijoi të nënshkruajë marrëveshje paqeje”, shkruan Grenell.

Grenellit iu dha dekorata për kontributin e tij që çoi në nënshkrimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Serbisë dhe Kosovës.

Nën këtë marrëveshje Serbia dhe Kosova kanë rivendosur komunikim direkt ajror, hekurudhor, lidhje mes autostradave etj., thuhej në dekoratën e lëshuar për Grenell.

Ndër të tjera ai cilësohej aty si një prej këshilltarëve kyç të Donald Trump./tvklan.al