Pas 3 vitesh, Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq 39 persona, të cilët akuzohen për mashtrim me anë të Call-Center.
Si organizator i kësaj veprimtarie akuzohet izraeliti Rafael Genish, i cili ka shkaktuar një dëm prej 2 milionë Eurosh.
Qytetarëve u kërkonin të investonin në bursë me premtimin se do të merrnin përfitime të mëdha në këmbim.
Të pandehurit krijonin marrëdhënie besimi me klientët dhe më pas i bindin ata që të kalonin shuma të caktuara parash në llogari të kompanisë me qëllim që të përfitonin më shumë, por nuk merrnin asgjë pas. Shumat e parave varionin nga 500 Euro e deri në shifra të mëdha.
Aktiviteti i Call-Centerave u zbulua nga autoritetet gjermane të cilët vendosën në lëvizje drejtësinë shqiptare pasi shumë qytetarë gjerman kishin rënë preh e mashtrimit.
38 shqiptarët akuzohen për mashtrim kompjuterik, ndërsa izraeliti Genish përveç kësaj vepre penale akuzohet edhe për pastrim parash.
Të akuzuarit u arrestuan në Dhjetor të vitit 2021 gjatë një operacioni të përbashkët mes policisë dhe Prokurorisë së Tiranës.
Izraeliti në atë kohë mohoi akuzat duke pretenduar se biznesi i tij ishte i ligjshëm, por letër-porositë e autoriteteve gjermane zbuluan aktivitetin e mashtrimit përmes Forex.
Tre vite më parë Genishit iu sekuestrua kompania që kishte themeluar, ambienti ku kryhej mashtrimi dhe qindra pajisje.
Klan News