Ky është vendi ku një 39-vjeçar nga Pogradeci i quajtur Zhenika Loli me profesion IT në Gjykatën e këtij qyteti prodhonte dokumente të falsifikuara, me qëllim jo vetëm kalimin në vendet e BE-së, por edhe Britaninë e Madhe.

Dokumentet, IT i Gjykatës së Korçës i prodhonte në kancelarinë e tij, të cilën e kishte kthyer prej kohësh në bazë falsifikimi.

Për një pasaportë, patentë apo kartë identiteti porositësit i paguanin Zhenika Lolit 2400 Euro.

PËRGJIMET:

Xheni – Prosia e Thanasit në rregull është them.

Personi i autorizuar – Po në rregull.

Xheni – Ajo tjetra, ajo tjetra që do më japësh mua ti.

Personi i autorizuar – Po re po, po vëlla hajde. Thashë. Numëroj këto ti. Më torturove o plako.

Xheni-Në rregull. Kam ndenjur një natë në Fier vëlla që jam marrosur fare.

Personi i autorizuar- Sa janë? Janë 2400?

Xheni- 2400.

Personi i autorizuar – 2400 Euro.

Hetimet kishin nisur pasi në rrugë operative u mësua se shtetas të ndryshëm në bashkëpunim me njëri-tjetrin kundrejt pagesës ndihmonin persona të caktuar për kalim të paligjshëm të kufirit nëpërmjet falsifikimit të kartave të identitetetit italiane dhe vendeve të tjera të Europës.

Me anë të këtyre dokumenteve të falsifikuara, porositësit shmangnin kontrollet në vendet e BE-së, duke e bërë më të lehtë transportimin e lëndëve narkotike, që si destinacion final kishin Britaninë e Madhe.

E gjithë skema u zbulua nga një agjent i infiltruar i cili hyri në kontakt duke u takuar në Pogradec me 39-vjeçarin për të kërkuar 3 pasaporta italiane.

Agjentët nuk janë mjaftuar vetëm me prodhimin e këtyre tre dokumenteve të falsifikuar, por kanë ndjekur dhe dokumentuar të gjithë itinerarin e lëvizjeve të IT të Gjykatës së Korçës, që çoi më pas edhe arrestimin e Zhenika Lolit me urdhër të Prokurorisë së Tiranës.

39-vjeçari akuzohet se ka ngritur bazën e prodhimit të dokumenteve të falsifikuara dhe ndaj tij pas zbardhjes së audio-përgjimeve dhe pamjeve filmike rëndojnë 3 akuza: ajo për falsifikim të dokumenteve, mashtrim dhe ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve.

Tv Klan