Seanca e pasdites së kësaj të hëne i dedikohej vetëm zgjedhësve, problemet dhe hallet e të cilëve, deputetët duhet t’i parashtrojnë në parlament. Por jehona e dokumentarit të “Rai3” nuk është zbehur ende dhe ka qenë arsyeja e debatit mes Gazment Bardhit dhe Elisa Spiropalit. Demokratët besojnë se ai material është pasqyra më e mirë e inkriminimit të qeverisjes Rama.
Gazment Bardhi: Ky investigim në asnjë rast dhe kush thotë të kundërtën bëhet mbrojtës i narkoshtetit që ka ndërtuar Edi Rama, nuk ka sulmuar Shqipërinë, por nxjerr të vërtetat lidhur me qeverinë e Edi Ramës që ka treguar në këto 11 vjet se e ka fuqizuar krimin e organizuar.
Por ministrja e Shtetit më shumë se për vetë dokumentarin, foli për reagimin që ka shkaktuar këtë të hënë fakti se emisioni “Report” mbrëmjen e djeshme nuk vazhdoi të merret me Shqipërinë në serinë e radhës. Madje ajo e pa të udhës të solidarizohet dhe me drejtuesin, Sigfrido Rannucin, që sipas saj është sulmuar si i blerë nga Edi Rama.
Elisa Spiropali: Kjo na qenka prova e radhës e fuqisë censuruese të Edi Ramës përtej kufijve të Shqipërisë. Kaq ka mjaftuar që drejtuesi i “Rai3”, “Report” të hyjë në listën e palavdishme të marketit Edi Rama. Kaq ka mjaftuar që ai të shpallet “i shitur”.
Bardhi, ashtu si dhe në Konferencën e Kryetarëve, ku nuk u arrit të miratohet me konsensus axhenda trejavore e parlamentit, e akuzoi kryeparlamentaren se po shkel kushtetutën duke mos zhvilluar interpelancën urgjente të kërkuar me kryeministrin për investigimin e “Rai3”.
Me argumentin se objekti i kërkesës nuk ka lidhje me procedurën që parashikon thirrja e një interpelance, shumica e votoi në seancë axhendën 3-javore, pa përfshirë këtë kërkesë të demokratëve.
Tv Klan